image Dalin para gjykatës ish-komandanti dhe 5 policët që keqtrajtuan qytetarin e prangosur në Gjakovë - Sinjali

Dalin para gjykatës ish-komandanti dhe 5 policët që keqtrajtuan qytetarin e prangosur në Gjakovë

news image

Sot, më 5 korrik, nga ora 09:30, Kristë Gjokajt, ish-komandant në Stacionin Policor të Gjakovës dhe zyrtarëve policorë Bekim Preqit, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizit, Milot Ukajt dhe Shaban Limanajt kanë dalë para Gjykatës Themelore në Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.

Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Ndërsa, i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

Për këtë rast kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, duke publikuar edhe videon e trajtimit çnjerëzor të qytetarit të prangosur në stacionin policor të Gjakovës.

Sipas aktakuzës, komandanti Kristë Gjokaj, më 14 nëntor 2018, në objektin e stacionit policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi i cili kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur si i dyshuar për dy vepra penale, në atë mënyrë që derisa ishte ulur në karrige, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, derisa nga aty të pandehurin e largon një zyrtar policor.

Ndërsa për katër të akuzuarit e tjerë theksohet se kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, ashtu që me qëllim që të nxjerrin informacione, për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale, për të cilat i dëmtuari ka qenë i dyshuar, e sulmojnë fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.

Shaban Limanaj akuzohet se ka kryer veprën tjetër penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Sipas aktakuzës, Shaban Limanaj, si person përgjegjës në qendrën e ndalimit në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, pasi iu ka mundësuar policëve Milot Ukaj, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari Muhamer Raifi të cilët pastaj e kanë keqtrajtuar duke e sulmuar fizikisht.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin