Shoqata e Bankave të Kosovës e ka dënuar fuqishëm grabitjen e sotme të armatosur në një pikë të bankës “Raiffeisen” në Shtime.
Kjo shoqatë kërkon nga organet e rendit që sa më parë t’i sjellin grabitësit para drejtësisë.
“Grupet e tilla kriminale, të cilat synojnë të dëmtojnë bizneset e Kosovës, e në veçanti bankat e që rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve dhe dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës, duhet të identifikohen sa më parë dhe të njëjtit të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.
Mëngjesin e sotëm, katër veta ia kanë mësyer ta grabisin një pikë të bankës “Raiffeisen” në Shtime.
Informacionin e parë për këtë grabitje e ka dhënë një sinjalizues, ndërkaq tani për rastin është deklaruar edhe Policia.
Në pamjet e siguruara nga Sinjali, të frikësuar e duke ikur u panë disa nxënës në momentin kur u dëgjuan krismat e armëve.
Detaje për rastin ka dhënë edhe Policia e Kosovës. /Sinjali