Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala tha se cilësia e arsimit kryesisht varet nga kuadrot që vijnë nga Fakulteti i Edukimit, shkruan Gazeta Sinjali.
Por sipas saj, në cilësinë arsimore ndikojnë edhe politikat e Ministrisë së Arsimit, konkretisht kurrikulat në të cilat mësimdhënësit hasin në pengesa gjatë zbatimit të tyre.
“Gjithsesi në cilësi ndikon edhe politika që i bën Ministria e Arsimit konkretisht kurrikula dhe vështirësitë të cilat i hasin mësimdhënësit gjatë implementimit të kurrikulës. Jemi dëshmitar që kurrikula ka ndryshuar mirëpo nuk është se është bërë aq shumë zhvillim profesional për mësimdhënës në mënyrë që të kuptojnë denjësisht kurrikulën dhe faktikisht kjo pjesa e zhvillimit të kompetencave të fokusohemi më shumë te zhvillimi i kompetencave te nxënësit përpos rezultateve të cilat janë obligative”, ka thënë ajo për EO.
Po ashtu, e para e Arsimit në Prishtinë u shpreh se si pengesë të zhvillimit në arsim i sheh kualitetet e diplomave dhe moshën e mësimdhënësve.
“Ka shumë për t’u bërë në ngritjen e cilësisë normalisht që nuk jemi të kënaqur. Këtu ndikon kualiteti i diplomave të cilat mësimdhënësit i kanë marrë, gjithashtu ndikon edhe mosha e mësimdhënësve. Arsimi është profesion i rëndë dhe mësimdhënës mbi moshën 60-vjeçare, pak ka që i kanë kapacitetet e atyre të rinjve. Kjo është një problematikë që neve po na çet vështirësi në terren qoftë në reformimin e reformave që ne po i bëjmë vazhdimisht bashkë me ministrinë e Arsimit por edhe në qasjen ndaj nxënësve, shkollës e komunitetit të shkollës”, shtoi ndër të tjera ajo.
Ajo ka evidentuar si një nga faktorët ndikues në cilësi edhe avancimin e profesionalizmit te drejtorët e shkollave për të cilin ka thënë se nuk është i nivelit të duhur.
Ndërsa për përmirësim, komuna, sipas Shalës ka formuar Asociacionin e drejtorëve ku do të ofrohen trajnime të ndryshme.
“Gjithashtu për të avancuar edhe drejtorët ne si drejtori e Arsimit në nivel të komunës e kemi bërë asociacionin e drejtorëve. Qëllimi i kësaj është zhvillimi profesional i drejtorëve të shkollave. Ne e dimë që drejtori duhet të jetë mësimdhënës ose në fakt e ka një master në udhëheqje ose e përfundon një trajnim për udhëheqje arsimore gjë që në terren është shumë më ndryshe. Duke i parë vështirësitë e menaxhimit të shkollave ne kemi marrë edhe rekomandime e kërkesa nga drejtorët që ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Shala./Gazeta Sinjali/