image Shkalla e vdekshmërisë tek fëmijët në Kosovë 2.8 herë më e lartë se në vendet evropiane

Sociale

Shkalla e vdekshmërisë tek fëmijët në Kosovë 2.8 herë më e lartë se në vendet evropiane

news image

Është mbajtur organizimi i parë i nivelit të lartë mbi zhvillimin në fëmijëri të hershme në Kosovë, ku u tha se kjo është strategjia kyçe për përfitime shoqërore dhe ekonomike në vend. Po ashtu, janë prezantuar edhe gjetjet që tregojnë se shkalla e vdekshmërisë në Kosovë tek fëmijët është 2,8 herë më e lartë se në vendet tjera evropiane. Presidentja dhe kryeministri janë zotuar se prioritet mbetet investimi mbi zhvillimin në fëmijëri të hershme të të gjithë fëmijëve në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani tha se investimi në kapital njerëzor po merr formë, meqë siç tha ajo, për vite të tëra ka qenë e fokusuar në beton.

“Nuk mund të flasim për investim të qëndrueshëm në qoftë se nuk flasim e nuk investojmë në arsim e shëndetësi, pra në njerëzit tanë. E qasja më e mençur është investimi dhe angazhimi për një zhvillim cilësor në fëmijëri të hershme. Investimi për zhvillim të shëndetshëm në vitet e hershme të jetesës të një fëmije, është garancia më e mirë për sukseset e shtuara në arsim, për rritje të dukshme të produktivitetit dhe performancës ekonomike. Shëndet më të mirë përgjatë gjithë jetës, komunitete të qëndrueshme e formim të qytetarisë së përgjegjshme dhe aktive”, ka thënë Osmani.

Më tej, Osmani shtoi se sot është mundësia për t’i dhënë një shans çdo fëmije që të lulëzojë dhe të bëjë më të mirën.

“Janë pikërisht vitet e para të jetës së fëmijëve, kur truri i tyre zhvillohet me hov të dukshëm, kudo tjetër herë gjatë jetës së një njeriu. Sa herë që ne të rriturit flasim me ta, u këndojmë, i bëjmë të qeshim, luajmë me ta, argëtohemi me ta, kjo ndikon gjithmonë e më shumë në shëndetin e tyre mendor, në krijimin e marrëdhënieve të shëndosha, por edhe ju mëson disa nga aftësitë më të rëndësishme për një të ardhme më të suksesshme e mirëqenie të lartë. Sa më shumë investim në fëmijërinë e tyre të hershme, aq më i madh dhe i dobishëm do të jetë kthimi në investim në vitet e tyre të rinisë e në moshën e pjekurisë”, ka shtuar Osmani.

Në organizimin e parë të nivelit të lartë mbi zhvillimin në fëmijëri të hershme, kryeministri Albin Kurti tha se edukimi i fëmijëve është e drejtë kushtetuese.

“Përfituesit primarë janë fëmijët dhe prindërit, mirëpo investimi në edukimin e hershëm sjellë edhe përfitime shoqërore dhe ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit. Në aspektin afatshkurtër është më e kushtueshme, mirëpo në aspektin afatgjatë sa më herët që fillon investimi, aq më i lartë do të jetë kthimi në investim sikurse që do të jenë larta përfitimet për shoqërinë në përgjithësi. Hulumtimet tregojnë që çdo investim në fëmijërinë e hershme, kthimi në investim do të jetë nëntëfish”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit theksoi se në Kosovë ka shkallë të ulët të zhvillimit në fëmijëri të hershme, për shkak të pamundësisë financiare.

Ai ka përmendur disa nga fokuset e domosdoshme për ta arritur këtë synim.

“Të sigurojmë qasje fizike përmes ndërtimeve të çerdheve të reja, adaptimit të hapësirave shkollore për këtë nivel dhe nivelit të politikave mbështetëse, siç janë kushtet preferenciale të pagesës ose lirimit nga pagesat për familjet në nevojë, organizimit të transportit, krijimi i mjediseve të përshtatshme dhe sigurimi i pajisjeve për fëmijë me aftësi të kufizuara e lehtësimi i procesit të licencimit. Duke përmirësuar infrastrukturën ligjore dhe bazuar mbi këtë ne kemi hartuar draftligjin për edukim të hershëm ku do të rregullohen veç tjerash format e ofrimit, koordinimit ndërsektorial, edukimit në familje dhe licencimi”, ka deklaruar Kurti.

Zëvendëspresidentja në Zyrën për Evropë dhe Azi Qendrore nga Banka Botërore, Anna Bjerde tha se fëmijët e grupeve të cenueshme duhet të kenë qasje të barabartë në shërbime.

“Jamajka ka gjetur se investimi në fëmijë të hershme ka sjellë deri te të ardhurat diku 25 përqind më të larta në vitet e mëvonshme. Dizajnimi i këtyre shërbimeve luan rol kritik. Nëse ofrohen mundësi të reja, këto në vetvete nuk janë të mjaftueshme që të kombinohen impute të ndryshme, siç janë sistemi i referimeve. Shërbimi i zhvillimit në fëmijëri të hershme është shumë i rëndësishëm për zhvillim të barabartë edhe për grupet e cenueshme. Ngase këto grupe në Kosovë i kanë vërtetë rezultatet më të dobëta dhe pjesëmarrje të ulët në shërbime”, ka thënë ajo përmes lidhjes direkte.

Ndërkaq, specialistja e Zhvillimeve Njerëzore në Bankën Botërore, Mrika Aliu ka paraqitur gjetjet dhe rekomandimet nga analiza e situatës mbi shërbimet e zhvillimit në fëmijëri të hershme në Kosovë. Ajo tha se shkalla e kthimit në investim arrin deri në 13 përqind në vit.

“Një fëmijë i lindur sot në Kosovë, mund të pres të arrijë vetëm 57 përqind të kapitalit të vet të mundshëm njerëzor. Indeksi i kapitalit njerëzor të Kosovës sugjeron një mundësi ideale për të investuar në fëmijëri të hershme. Sidomos investimi në këtë periudhë konsiderohet dritarja me kosto efektive e investimit… Mbijetesa e fëmijëve në Kosovë ka shënuar një progres në dekadat e fundit, megjithatë shkalla e vdekshmërisë te fëmijët apo probabiliteti që një fëmijë i lindur në Kosovë të vdes pa festuar ditëlindjen e parë, është rritur prej 12 në 1000 lindje sa ka qenë në vitin 2014, në ’15, në 1000 lindje në vitin 2020. Kjo është dyfish më e lartë për fëmijët nga komuniteti romë, ashkalinj, egjiptianë. Nëse krahasohet me mesataren e BE-së, shkalla e vdekshmërisë në Kosovë është 2,8 herë më e lartë se mesatarja evropiane”, ka treguar ajo.

Edhe drejtoresha rajonale për Evropë dhe Azi Qendrore në UNICEF, Afshan Khan tha se në këtë proces mundësia më e madhe në shërbime duhet të jetë për fëmijët që vijnë nga grupet e cenueshme.

Ky diskutim është organizuar nga Presidenca, Banka Botërore dhe UNICEF, me qëllim të mobilizimit të zotimit ndaj zhvillimit në fëmijëri të hershme.

/GazetaSinjali/