Shqipëria është duke u përballur me një mot të pazakontë gjatë ditës së sotme, ku paraditja ishte e nxehtë dhe me erë duke stimuluar përhapjen e zjarreve në vatrat që janë djegur deri më tani.
Ndërkohë që ndodhte kjo në jug, në një zonë si Sazani për shembull, reshje të dendura shiu ranë në Tiranë, Elbasan, Lezhë dhe Durrës duke shkaktuar edhe përmbytje aty-këtu, më shumë për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së rrugëve se sa prej intensitetit të lartë të reshjeve.
Në Shëngjin uji përmbyti rrugët duke nxjerrë përsipër ujërat e zeza, ndërkohë që në aksin Elbasan-Librazhd qarkullohet me vështirësi për shkak të sasisë së madhe të ujit në dalje të Elbasanit. Një moment trafiku u bllokua në këtë aks për shkak të ujit, kurse pak kilometra më tej, rënia e një peme në rrugë bllokoi lëvizjen për disa minuta, shkruan abcnews.
Kur ndryshon?
Gjithçka pritet të ndryshojë gjatë orëve të mbrëmjes së sotme ku moti do të jetë i kthjellë dhe do të ketë një rritje të lehtë të temperaturave. Një rikthim i reshjeve në pjesën më të madhe të vendit pritet të ndodhë gjatë mbrëmjes së nesërme dhe orëve të para të ditës së premte.