Sipas Institutit të Shëndetit Publik deri tani janë raportuar 15 raste me “Flurona”, mes tyre edhe një fëmijë.
“Edhe në Shqipëri janë evidentuar disa raste me Flurona, me bashkë-infeksion të Covid dhe grip, por fatmirësisht këto raste janë aktualisht të përmirësuar kanë dalë nga spitali. Nuk kanë pasur probleme shtesë, për shkak të infektimit edhe nga gripi, pasi kanë qenë të infektuar me variantin Omicron që siç dihet klinika e këtij varianti është klinikë më e lehtë krahasuar me variantin Delta“, thotë epidemiologu në ISHP, Artan Simaku.
Simaku tregon se rastet me Flurona janë evidentuar në mes muajit janar dhe në fillim të shkurtit.
“Janë rreth 15 raste nga të cilat mosha mesatare është 60 vjeç, rast pediatrik ka qenë vetëm një rast dhe tani fëmija është në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësorë”, ka shtuar Simaku.
Rreth 70 % e të prekurve kanë qenë të pa vaksinuar, raporton TV Klan.
“Të gjithë personat kanë qenë të pa vaksinuar ndaj gripit, ndërsa ndaj Covid kanë qenë të vaksinuar rreth 30 % e tyre. Çka konfirmon edhe njëherë rëndësinë e madhe të vaksinimit ndaj të dy viruseve, ndaj COVID dhe gripit”, vijoi Simaku.
Sipas Simakut, vaksinimi ndaj COVID-19 nuk duhet të ndërpritet për të pasur një mbrojtje më të madhe ndaj virusit.