Një rrëshqitje dheu ka ndodhur skaj trotuarit të rrugës “Sami Plakolli” në Prishtinë.
Punëkryesi që po kryen ndërtime në atë pjesë, nuk ka ndërtuar murin mbrojtës. Si rrjedhojë, Inspektori nga Sektori i Ndërtimit në Komunën e Prishtinës e ka dënuar kompaninë me 500 euro gjobë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Sot jemi njoftuar për një rrëshqitje të dheut në rr. “Sami Plakolli”. Menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes 2 ekipe të Inspekcionit, një nga Sektori i Rendit Komunal edhe një nga Sektori i Ndërtimit. Pala në këtë rast nuk e ka respektuar lejen ndërtimore, sepse ende nuk e ka ndërtuar murin mbrojtës. Si rrjedhojë, Inspektori kujdestar nga Sektori i Ndërtimit e ka obliguar që t’i ndërpresë të gjitha punimet, si dhe e ka shqiptuar gjobën në vlerë 500 euro”, shkruhet në faqen e Komunës së Prishtinës.
Përveç gjobës, inspektori e ka urdhëruar punëkryesin që menjëherë ta rikthejë terrenin në gjendjen e mëparshme.
“Vazhdimi i punimeve në ndërtimin e këtij objekti do të jetë i mundur vetëm pasi të vendoset muri mbrojtës sipas lejes ndërtimore, dhe pasi të rregullohet pjesa e dëmtuar e rrugës”, njofton Komuna e Prishtinës. /Gazeta Sinjali/