image Shefi i UNMIK: Pandemia ka ndikuar në realizimin e të drejtave të njeriut në Kosovë

Kosovë

Shefi i UNMIK: Pandemia ka ndikuar në realizimin e të drejtave të njeriut në Kosovë

news image

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Përfaqësuesi i Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin kërkon që të drejtat e njeriut të jenë në qendër të rimëkëmbjes, përcjellë Gazeta Sinjali.

Tanin e rithekson edhe njëherë përkushtimin e OKB-së për mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe palëve të tjera me interes në përpjekjet e tyre për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë, duke përfshirë edhe brenda kontekstit të pandemisë.

Ai ka vënë në pah rolin kryesor të të drejtave të njeriut në reagimin ndaj pandemisë COVID-19 dhe në rimëkëmbjen e saj në mënyrë që të dalim më mirë nga pandemia, e cila sipas tij ka ndikuar në realizimin e të drejtave të njëriut në Kosovë.

Duke ritheksuar thirrjet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Komisionerit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, ai inkurajon institucionet e Kosovës dhe të gjitha palët relevante që të vendosin të drejtat e njeriut në qendër të të gjitha përpjekjeve të reagimit dhe rimëkëmbjes, si dhe që të marrin parasysh nevojat e ndryshme që kanë meshkujt, gratë, djemtë dhe vajzat.

Pandemia ka shpërfaqur pabarazitë ekzistuese dhe nevojën e theksuar për t’i kushtuar më shumë vëmendje komuniteteve dhe personave në situata të cenueshme. Ai më tej fton për ndërmarrjen e masave shtese të synuara të rimëkëmbjes për trajtimin e ndikimit të pandemisë në Kosovë, duke përfshirë edhe aspektin e realizimit të të drejtave ekonomike dhe sociale.

“Duke marrë parasysh që bota është duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut gjatë pandemisë, Kosova ka mundësinë unike për të shfrytëzuar të drejtat e njeriut si udhëzues për menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen prej saj, si dhe për t’u siguruar që komunitetet dhe personat në situata të cenueshme të mos lihen anash”, tha Tanin.

/Gazeta Sinjali/