Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE), Tomas Szunyog, ka folur për qëllimin e raportit vjetor të unionit për Kosovën, i cili ka thënë se qëllimi është që t’u ofrojë rekomandime institucioneve për avancimin e reformave, të cilat do të afrojnë me BE-në.
Sipas tij, Raporti i BE-së për Kosovën është njëri nga dokumentet më të rëndësishme.
Këto komente Szunyog i bëri në tryezën me temën “Raporti i BE-së për Kosovën 2021”, e organizuar nga instituti EPIK në bashkëpunim me Komisionin për Integrim Evropian dhe me mbështetje të GIZ-it.
Ai tutje shtoi se drejt BE-së nuk ka rrugë të shpejtë dhe se me patjetër duhen reformat në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.
“Me 19 është miratuar Pakoja e Zgjerimit me detaje rreth gjendjes aktuale për Ballkanin Perëndimor, pakoja përbehet nga komunikimi për politikat përfshirë edhe raportin për Kosovën. Raporti është rezultat i një vlerësimi të drejtë. Raporti ka vlerësuar progresin e arritur në disa fusha dhe është e qartë që nuk ka rrugë të shpejta drejt BE-së duhet të implementohen reformat për të sjellë rezultatet si sundimi i ligjit, rimëkëmbja e ekonomisë dhe në zbatimin e MSA-së.
Zgjedhjet në vitin 2021 kanë qenë mirë të administruar, Kosova nuk ka bërë progres në përmbushjen e rekomandimeve për administrim publik dhe na duhet një lidership i fuqishëm. Kemi parë progres në sistemin e gjyqësorit, miratimi i planit të veprimit dhe është vazhduar përtej periudhës raportuese, kemi pasur progres në sistemin elektronik, ne kemi vërejtur me shqetësim interaksionin në rivlerësimin e gjyqtarëve që quhet veting, dhe kjo mund të konsiderohet vetëm si masë e jashtëzakonshme, duhet të jetë në pajtueshmëri me standardet e BE, Kosova ka pasur progres në të drejtat njerëzore”.
Ai tha se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Kosovën, aty ku ka përkushtim për progres.
“Raporti ofron një mirëkuptim për atë se ku qëndron Kosova, BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Kosovën ku ka përkushtim për të bërë progres”.
“Shoqëria civile në këtë proces është vendimmarrëse për t’i nënvizuar rekomandimet e menjëhershme. Këto rezultate që do t’i prezantojmë janë bazë e shkëlqyer për reflektim dhe drejt rrugës për reforma të BE-së”, tha Szunyogu gjatë diskutimit.
Ndërkaq Jan-Axel Voss, i ngarkuar më punë në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, ka thënë se ky shtet ka mbështetur çdoherë Kosovën drejt BE-së, por që raporti ka pika të caktuara që duhet të zbatohen.
“Gjermani ka mbështetur Kosovën drejt BE-së në vazhdimësi. Ky projekt është përgatitur për të parë ku qëndron Kosova drejtë rrugës së BE-së”.
“Komisioni i BE-së e ka publikuar raportin e progresit dhe ky raport është i detajuar. Kishte aq shumë mesazhe drejt rrugës së BE-së”, tha ai. /GazetaSinjali/