image SHBA: Po vazhdojmë t’i verifikojmë afganët e strehuar në Kosovë

Kosovë

SHBA: Po vazhdojmë t’i verifikojmë afganët e strehuar në Kosovë

news image

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të shtetit, Ned Price, ka thënë së autoritetet amerikane po vazhdojnë verifikimin e afganëve përkohësisht të strehuar në Kosovë, para se t’u lejohet vendosja në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë vend tjetër.

“Si pjesë e procesit të vazhdueshëm të verifikimit. Disa nga ata, rastet e të cilëve kishin nevojë për përpunim shtesë, janë zhvendosur në kampin Liya, që ndodhet në kampin Bondsteel në Kosovë, ku ekipet ndërinstitucionale atje po punojnë për të përfunduar verifikimin për pranimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, ose për rivendosjen në një vend të tretë”, ka thënë Price.

Mbi një mijë e 300 shtetas afganë janë strehuar në Kosovë që nga fundi i muajit gusht, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar nga dhuna në Afganistan, ku shumica e tyre janë gra fëmijë e pleq.

Price gjithashtu ritheksoi mirënjohjen për qeverinë e Kosovës ndërsa nënvizoi se po bëhen përpjekjet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të rehatshëm në kampin e trupave amerikane Bondsteel, ku janë vendosur të strehuarit, ndërkohë po vazhdon verifikimi i tyre.

Gati gjysma e të strehuarve në Kosovë janë larguar me katër fluturime në periudha të ndryshme drejt Shteteve të Bashkuara. /Gazeta Sinjali/