image SHBA mirëpret marrëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë: Hap gjigant drejt paqes dhe stabilitetit në rajon

Politikë

SHBA mirëpret marrëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë: Hap gjigant drejt paqes dhe stabilitetit në rajon

news image

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë me një reagim pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave, raporton Gazeta Sinjali.

Në reagimin e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, thuhet se SHBA mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa bëjnë thirrje që palët të përqendrohen tutje në normalizimin e marrëdhënieve.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Palëve u bëhet thirrje që të përqendrohen tutje “plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve” në dialogun e lehtësuar nga BE.” thuhet në reagimin e Price.

Në reagim po ashtu theksohet se Washingtoni mirëpret vendimin e palëve për të vënë interesat e të gjithë njerëzve në plan të parë, ndërsa u kërkohet që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.

“Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve” theksojnë amerikanët.

Ndryshe, kryediplomati evropian, Josep Borell, mbrëmë ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Borell njoftoi se tash e tutje në Bruksel do të ketë bisedime për normalizim marrëdhëniesh dhe nëse njëra palë bllokon BE do ta ndërprejë procesin.

Po ashtu në deklaratën e Borell u tha që palët e kuptojnë se duhen implementuar marrëveshjet në Bruksel, një referencë kjo për Asociacionin, për të cilën  Kurti ka hapur rrugë që Serbia ta trajtojë si çështje në kuadër të propozimit franko- gjerman.

Kujtojmë që takimi në Bruksel u zhvillua vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.

/GazetaSinjali/