image ShBA e vlerëson nderimin e Kosovës për Albrightin

Politikë

ShBA e vlerëson nderimin e Kosovës për Albrightin

news image

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është deklaruar rreth vendimit të autoriteteve që e premtja të jetë ditë zie në nderim të mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright.

Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara janë të nderuara nga vendimi që e premtja të shpallet ditë zie në nderim të ish-Sekretares amerikane Madeleine Albright.

“Ju vazhdoni ta nderoni kujtimin e saj çdo ditë përmes punës suaj për ndërtimin e një demokracie të begatë dhe multietnike”, ka shkruar ai të premten në Twitter duke publikuar fotografi nga flamujt shtetërorë amerikanë dhe të Kosovës në gjysmështizë.

“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta të mërkurën. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Vjosa Osmani në njoftimin për shpalljen ditë zie.

/GazetaSinjali/