image Sërish mbyllet për publikun gjykimi ndaj Enver Sekiraqës

Drejtësi

Sërish mbyllet për publikun gjykimi ndaj Enver Sekiraqës

news image

Për shkak të dëgjimit të një dëshmitari, sërish është mbyllur për publikun dhe mediat seanca gjyqësore që po mbahet këtë të hënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin e Enver Sekiraqës.

Sekiraqa po akuzohet për nxitje të vrasjes së zyrtarit policor Triumf Riza, vrasje e cila kishte ndodhur në gusht të vitit 2007, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Special Haki Gecaj ka kërkuar nga gjykata që të mbyllet për publikun seanca e së hënës, pasi sipas tij, një dëshmitar për të cilin nuk e bëri të ditur emrin e tij, ka kërkuar që dëshmia e tij të jepet pa praninë e publikut për shkaqe personale dhe familjare.

Pas analizimit të kërkesës së këtij dëshmitari, unë para jush deklaroj se kam pasur mirëkuptim për kërkesën e saj dhe propozoj që ai dëshmitar të dëgjohet pa praninë e publikut”, ka thënë prokurori Gecaj.

Pasi propozimin e tij nuk e ka kundërshtuar as mbrojtja e Sekiraqës, avokatja Kosovare Kelmendi, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Agim Kuçi, aprovuan propozimin e prokurorit, pasi sipas tij edhe në fazat e mëhershme ky dëshmitar ishte dëgjuar me dyer të mbyllura.

Për të njëjtën arsye, ishte mbyllur për publikun edhe seanca e kaluar, e mbajtur më 29 prill 2021.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.  /Gazeta Sinjali/