image Serbia rikthen tregun kosovar, 300 milionë euro mallra u importuan nga atje gjatë vitit 2021

Biznes

Serbia rikthen tregun kosovar, 300 milionë euro mallra u importuan nga atje gjatë vitit 2021

news image

Gjatë vitit që lamë pas Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë rreth 300 milionë euro, ndërsa ka eksportuar në këtë shtet fqinjë më pak se 2 milionë euro.

Derisa top pesë vendet kryesore nga janë importuar mallrat në vendin tonë, pas Gjermanisë është edhe Serbia, e cila shënon rritje në vitin 2021, në 300 milionë euro, krahasuar me vitin 2020, ku importi prej Serbisë ishte 174 milionë euro.

Për rikthimin e tregut kosovar nga Serbia pas reciprocitetit dhe rënien e trendit të eksportit me këtë shtet, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se nga Serbia dominojnë dy industri kryesore të cilat eksportohen drejt Kosovës, industria ushqimore, si dhe industria e materialit ndërtimor.

“Në aspektin e importit të produkteve nga Serbia, gjatë vitit 2021, kemi pasur në vlerë të mallrave rreth 300 milionë euro që paraqet një ulje në krahasim me periudhën paraprake. Në kohën kur Serbia ka eksportuar mallra drejt Kosovës vite më parë ka qenë deri 450 milionë euro, ndërsa në vitin e kaluar kjo paraqet një ulje në këtë aspekt. Derisa sa i përket eksportit të produkteve tona ka rënë drejt shtetit serb. Në vitin 2021, kemi pasur vetëm rreth 2 milionë euro eksporte drejt Serbisë më 2021. Krahasimi me periudhën kur ka pasur reciprocitet ose kur ka bllokadë ose zero import prej Serbisë, normal që është trend rritës”, theksoi Stavileci.

Stavileci ka treguar se cili shtet prinë me produktet e eksportuara drejt Kosovës.

“Vendi kryesor i cili prinë me produktet e saj në Kosovë është Gjermania, janë vendet kryesisht Unionit Evropian, Gjermania, Italia, Turqia, Kina. Edhe Serbia, por ky shtet është më poshtë, Shqipëria është mbi Serbinë”, thotë ai.

Sipas zëdhënësit të Doganës, tri produktet kryesore të importuara në vend mbesin nafta, cigaret dhe automjetet.

“Sa i përket importeve, ne kemi produkte kryesore që Dogana i identifikon në aspektin sasior dhe të vlerës. Janë kryesisht derivatet e naftës, pastaj cigaret, si dhe automjetet. Këto janë top tri produktet të cilat importohen më së shumti në Kosovë. Derisa sa i përket eksportit, mund të themi se deri në vitin 2020, kanë prirë çeliku dhe mbetjet e ndryshme. Deri në këtë vit (2021) kemi një ndryshim, ku mobilieria apo artikujt e mobileve kanë arrit ta tejkalojnë. Tani mobilieria paraqet rreth 21 për qind të eksporteve kosovare drejt vendeve të ndryshme. Pastaj gjithashtu ka një ngritje edhe te pijet e ndryshme si pijet joalkoolike dhe ato alkoolike, të cilat paraqesin rreth 5 për qind të eksporteve, si dhe produktet të ndryshme të prodhuara nga druri”, thotë ai për KP.

Ndryshe, për herë të parë Kosova, gjatë vitit 2021 ka shënuar rritje të eksportit të mallrave në vlerë totale 62 për qind./GazetaSinjali/