Ani se këtë vit pati një rritje të eksporteve në Kosovë, prodhuesit kosovarë së fundmi nuk po arrijnë të realizojnë porositë në shtetet evropiane, sidomos në Gjermani dhe Zvicër.
Kjo për shkak që Serbia ka vendosur barriera ndaj prodhuesve kosovarë për kalimin transit të mallrave në këto vende evropiane.
Për këto barriera të vendosura nga autoritetet serbe, veçmas pas kërkesës së Kosovës për barazi në CEFTA, ende nuk dihet nëse do të merret ndonjë veprim reciprok nga autoritetet kosovare, ani se ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka paralajmëruar adresimin e këtyre barrierave te partnerët në Bruksel.
Në anën tjetër ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj ka kërkuar veprime të shpejta nga Qeveria e Kosovës për t’i zgjidhur barrierat e vendosura nga Serbia.
Mulaj po ashtu kërkon prej qeverisë aktuale që të bëjë më shumë presion ndaj shtetit fqinjë, në këtë rast Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-së.
Nuk është problem i këtyre ditëve, është problem, pothuajse që nga pavarësia e Kosovës për shkak se Serbia nuk i njeh dokumentacionin zyrtarë të institucioneve, sidomos certifikatave fito-sanitare, sanitare dhe certifikatat tjera që janë me vulat e Republikës së Kosovës.
“Çdo produkt që kërkohet nga Bashkimi Evropian, automatikisht shkruan në tiketën e tyre produkti nga e ka origjinën. Dhe Serbia këtyre produkteve iu qet probleme dhe realisht pos lëndës së parë që e merr prej Kosovës, pavarësisht se çfarë dokumentacioni ka, çdo produkt tjetër që është produkt i përpunuar ose produkt final që ka në destincaion Serbinë apo vendet e Bashkimit Evropian kanë barriera, që në një mënyrë nuk ka shance që t’i tejkalojnë bizneset dhe eksportet e tyre të realizohen”, tha Mulaj.
“Unë përgëzoj ministren për letrën që i ka dërguar sekretariatit të CEFTA-s, por pa vullnetin politik të Qeverisë së Kosovës dhe të shumicës të anëtarëve që janë pjesë e CEFTA-s, është problem të realizohen. Por, ka mundësi të tjera që Kosova ta realizoj këtë të drejt përmes presionit”, theksoi Mulaj.
Profesori universitar, Muhamet Sadiku thotë se Kosova gjithnjë vazhdon të përballet me probleme të mëdha për këmbim tregtar me vendet tjera, sidomos në realizimin e eksportit nëpërmjet Serbisë.
Derisa, sipas tij, Serbia pa asnjë problem realizon eksportin e saj në tregun e Kosovës.
“Edhe përkundër synimeve të qarta dhe dakordimeve, Kosova gjithnjë vazhdon të përballet me probleme të mëdha për këmbim tregtar me vendet tjera, sidomos në realizimin e eksportit nëpërmjet Serbisë“.
Sepse Serbia sipas tij, nuk është e gatshme që t’u nënshtrohet rregullave të këmbimit tregtar.
“Në anën tjetër Serbia lirshëm e realizon eksportin e saj në tregun e Kosovës. Kështu Kosova gjithnjë vazhdon të jetë nën ndikimin e masave asimitrike tregtare dhe sigurisht që këto masa të cilat i ndërmerr Serbia, janë pengesë e madhe për penitrimin e eksportit të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian”, tha ai.
Prandaj, Sadiku tha se “Pa tejkalimin e këtyre problemeve nuk mund të flitet për bashkëpunim tregtarë të lirë. Kosova gjithnjë e ka ngritur zërin në shumë takime që janë mbajtur në CEFTA lidhur me këto pengesa. Askush nuk qan kokën në nivelin ndërkombëtar për këto pengesa me të cilat prodhuesit kosovarë gati çdo ditë përballen. Kështu që Kosova ka gatishmëri që t’i respektoj raportet tregtare me të gjitha vendet fqinje, mirëpo në anën tjetër Serbia vazhdon me deskrusion tregtar që është bërë pengesë e madhe për realizimin e këmbimit tregtarë të Kosovës”.
Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk kanë treguar se kur pritet ta adresojnë këtë çështje në Bruksel dhe sa janë dëmet deri tash ndaj bizneseve.
Kurse, në Doganën e Kosovës kanë thënë për KosovaPress se kjo çështje i takon MINT.
Ditë më parë Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s e ka refuzuar kërkesën e Kosovës që në këtë marrëveshje të përfaqësohet pa përfshirjen e UNMIK-ut./GazetaSinjali/