image Serbia nuk është as në 10 vendet e para prej nga importon Kosova

Kosovë

Serbia nuk është as në 10 vendet e para prej nga importon Kosova

news image

Kosova më nuk importon në masë të madhe nga Serbia. Është vendi i 12-të prej nga importon Kosova, raporton Gazeta Sinjali.

Vlera e importit prej Serbisë është mbi 173 milionë e 428 mijë euro. Për sa i përket eksportit, Serbia është e gjashta me rend.

Në vitin 2018 shteti serb radhitej në vendin e parë prej nga importonte Kosova, por pas vënies së taksës ndaj mallrave serbe e boshnjake, importi ka rënë.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, në një përgjigje për Gazetën Sinjali gjithashtu ka bërë të ditur se Gjermania tash është bërë vendi i parë prej nga importon Kosova.

Vlera e importit gjatë 2020-së nga Gjermania ishte mbi 424 milionë e 263 mijë euro.

Në anën tjetër Shqipëria është bërë vendi i parë ku Kosova eksporton mallra. Vlera totale e eksportit në Shqipëri ishte mbi 108 milionë e 25 mijë.

Pas Gjermanisë, në import renditet Turqia, Kina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Italia, Greqia, Sllovenia e të tjera, ndërsa në eksport pas Shqipërisë është Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra e Italia.

/GazetaSinjali/