Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është kërcënuar për shkak të reagimit që ka bërë ndaj sulmit që iu bë djalit të politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq, shkruan Gazeta Sinjali.
Në postimin e Kurtit në Twitter, përmes të cilit ai kërkon që të ndiqen dorasit e këtij incidenti, një serb, i shkruan në një replikë se Nenad Rashiq është i njëjtë me Listën Serbe.
Ky komentues e prezanton veten si ”serb i ri”, dhe vazhdon duke i quajtur shqiptarët terroristë.
Madje, ai e kërcënon Kurtin se do ia vë flakën tërë familjes së tij.
”Lista Serbe dhe ai janë njëlloj, ne jemi të rinj, serbë që do t’ju sjellin zjarrin në të cilin ju terroristët shqiptarë duhet të digjeni. Unë do t’i vë flakën tërë familjes suaj”, shprehet drejt Albin Kurtit, një person që mban llogarinë me emrin Ivica Kostic.
Ky kërcënim, vjen në postimin në të cilin Kurti dënoi si vijon sulmin brutal ndaj Nikolla Rashiqit.
“Unë dënoj ashpër sulmin e sotëm brutal ndaj 18 vjeçares Nikolla Rashiq, djali i Kreut të Partisë Progresive Demokratike, Nenad Rashiq. Ky është një sulm ndaj qytetarëve tanë & lirisë së tyre dhe ata që e organizuan atë duhet të ndiqen dhe të sillen para drejtësisë“, shkroi Kurti./Gazeta Sinjali/