image Serbët paralajmërojnë protestë para ambasadës amerikane në Beograd - Sinjali

Serbët paralajmërojnë protestë para ambasadës amerikane në Beograd

news image

Dhjetëra serbë të ftuar nga disa organizata nacionaliste në Serbi, mbrëmë kanë mbajtur një tubim në qendër të Beogradit, për siç thanë ata “ngjarjet e fundit në Kosovë”.

Protestuesit u mblodhën para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë dhe për një moment pati edhe konfrontime me policinë, por gjithçka përfundoi pa incidente, shkruan gazeta serbe “Danas”.

Organizatat e njëjta kanë paralajmëruar protestë “më të organizuar” për të shtunën, para ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd.

As organizatat e as mediat nuk kanë treguar arsyen se pse do të protestohet para kësaj ambasade.

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës zhvilloi aksion në katër rajone të vendit, në mesin e tyre edhe në atë të Mitrovicës së Veriut, me qëllim të luftimit të kontrabandës.

Në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan ky aksion hasi në rezistencë të serbëve lokalë, të cilët bllokuan rrugën me kamionë e makineri të rënda dhe hodhën gjësende në drejtim të policëve e gazetarëve.

Nga kjo protestë, Policia njoftoi se janë lënduar 10 zyrtarë policorë./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin