image Rreth 80 vilat e sekuestruara në Brezovicë u ndërtuan para syve të Prokurorisë, kur filloi hetimi ishin vetëm 23

Drejtësi

Rreth 80 vilat e sekuestruara në Brezovicë u ndërtuan para syve të Prokurorisë, kur filloi hetimi ishin vetëm 23

news image

Objekte në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e qytetarëve të tjerë, janë sekuestruar për dy ditë radhazi, në Brezovicë. Sekuestrimi i rreth 100 objekteve u bë me urdhër të Prokurorisë pas raporteve që konstatuan se këto objekte janë ndërtuar kundërligjshëm. Por një pjesë e madhe e këtyre vilave janë ndërtuar pikërisht pas fillimit të hetimeve nga Prokuroria Themelore në Ferizaj. Në vitin 2019 kur kanë nisur hetimet kanë qenë vetëm 23 objekte në zonën e dytë, por mbi 50 vila u ndërtuan gjatë procesit të hetimit, para syve të Prokurorisë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se në raportin që përfshinë periudhën 2016 deri në vitin 2019, në zonën e dytë ka pasur vetëm 23 objekte, derisa nga ai vit deri në 2022 numri ka shkuar në 77.

Sipas raportit për inspektimin në Brezovicë në vitin 2019, që lidhet me aksionin e zhvilluar atë kohë, në muajin gusht, bazuar në të dhënat e nxjerra nga procesverbalet, ka rezultuar se në zonën e dytë kanë qenë 23 objekte.

Nga kjo i bie se 77 objekte të tjera janë ndërtuara para syve të Prokurorisë. Ky raport i ishte dërguar atë kohë dhe prokurorit të rastit, Rasim Malokut, i cili sot deklaroi se numri total i objekteve të ndërtuara nga viti 2019 deri më sot është më i vogël, raporton Sinjali.

 “Janë afër 80, Agjencia na ka dhënë edhe disa prona që kanë qenë gërmime, e parcela e disa objektet që nuk janë përputhë me Agjencinë për mjedisin. Rreth 100 ka qenë, megjithatë sot që e kemi përmbyllë aksionin, janë nën 80. Hetimet kanë filluar në vitin 2019. Rreth 50 janë ndërtu nga viti 2019 deri tash. Kanë lëvizur vijat e zonave, kemi dilema se si janë të përcaktuara zonat.”

Maloku tutje tha se këto ndërtime janë bërë si pasojë e mosveprimit nga inspektorët, një pjesë e të cilëve janë hetuar e arrestuar.

“Ne kemi hetuar zyrtarët, hetimi ynë ka qenë i orientuar ndaj zyrtarëve që kanë pranuar mito, kanë dhënë ryshfet, as që e kemi ditë se cila është zona e parë, cila e dytë, apo e tretë. Ata kanë ndërtu, por për qata janë hetu. Ne nuk veprojmë në preventiv, ne veprojmë kur ndodh rasti. Na nuk jena organe preventive, na veprojmë tek kur ndodhë rasti. Pse nuk kanë vepru inspektorët të ndërtimit, të nivelit komunal dhe të nivelit qendror, për atë arsye janë në hetim, e disa në paraburgim. Ne nuk bëjmë regjistrime. Kur paraqitet rasti, e hetojmë.”, përfundoi Maloku.

Sipas Prokurorisë, objektet janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të dyshuarit në këtë rast. Ata, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e këtyre veprave penale.

Në mesin e objekteve të sekuestruara janë 80 objekte të ndërtuara plotësisht e disa në ndërtim e sipër.

Rasti gjyqësor Brezovica është iniciuar në dhjetor të vitit 2021. Deri më tani janë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Brezovica vlerësohet se është një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e saj të skijimit. Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

/GazetaSinjali/