image Selmanaj: VV-ja po dëshiron pushtet absolut, përfshirë presidentin

Kosovë

Politikë/ Selmanaj: VV-ja po dëshiron pushtet absolut, përfshirë presidentin

news image

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së, ka thënë se Vetëvendosje po dëshiron pushtet absolut në Kosovë, përfshirë edhe postin e presidentit, që po kërkohet nga LDK-ja.

Sipas tij, refuzimi i VV-së që të heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit, qoftë edhe për një vit sipas ofertës së LDK-së, tregon se kjo parti po dëshiron të udhëheqë me të gjitha postet kryesore në vend.

Ai ka thënë se Vetëvendosje ka bërë vazhdimisht përpjekje që të mos lejojë LDK-në të marrë postin e presidentit.

“S’ka absolut. Fituesi relativ s’mund të ketë pushtet absolut, por të balancuar. Këtë po e kërkojmë. Ka tendencë VV-ja të një rrëshqitje drejt një pushteti absolut. Sepse e merr kryeministrin, kryeparlamentarin thotë se nuk e preki se e kemi zgjedh e për presidentin thotë se duhet të shteren të gjitha mundësitë për kandidatin konsensual e pastaj LDK-ja jep propozim e më pas shkon te VV-ja, e tash doli që nëse nuk zgjidhet presidenti nga VV-ja na japin edhe një ministri. Do të thotë ata e duan edhe presidentin. Kjo tregon tendencë të tillë e do të thotë LDK-ja do të ishte aksesor, pjesë përbërëse por jo e rëndësishme. Përpjekja e VV-së është që të mos i takojë presidenti LDK-së. Ka përpjekje që institucionet politike t’i depolitizojmë, por kështu nuk shkon”, ka thënë Driton Selmanaj.

Selmanaj e ka quajtur pazar ofertën e VV-së që të rritet numri i ministrive vetëm që të mos heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit. Ai ka thënë se me këtë po kopjohen qeveritë e shkuara.

“Idetë për të rritur numrin e ministrive, apo për të hyrë në pazare të tilla kam përshtypjen se po kopjojmë qeveritë e shkuara. Për neve është joserioze kjo ofertë sepse nuk mendojmë se me numrin e ministrave pushteti balancohet. Për ne ka një fitues relativ të zgjedhjeve”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/