Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot është takuar me shefin e Zyrës së Këshillit të Europës në Prishtinë, Frank Power dhe zyrtarë të KiE-së, të cilët i ka informuar në lidhje me ecurinë e ligjit për funksionalizimin e gjykatës komerciale, procesin e hartimit të raportit nga grupi punues për llogaridhënie duke përfshirë edhe vettingun, transmeton Gazeta Sinjali.
Ministri Selimi nga zyrtarët e KiE, u informua për tri projekte kyçe të Këshillit të Europës në Kosovë, respektivisht Projektin kundër Krimit Ekonomik PECK III, Përforcimin e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, faza II VAW, si dhe për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Kosovë KoSEJ II.
Veçanërisht është diskutuar për njërin nga projektet e KiE-së me Ministrinë e Drejtësisë, për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave nga sektori i drejtësisë sipas metodologjisë së CEPEJ-it, rezultatet e së cilës analizë dhe të dhënat e grumbulluara kanë shërbyer gjithashtu edhe në procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, si dhe më pas në procesin e hartimit të Strategjisë Sektoriale për Sundimit e Ligjit.
Me këtë rast, ministri Selimi tregoi se si rezultat i këtij projekti, Ministria e Drejtësisë është duke punuar në themelimin e një njësie për analiza dhe statistika në këtë ministri, e cila do të jetë njësi koordinuese dhe përgjegjëse për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave nga sektori i drejtësisë.
Ndërsa, Power ka vlerësuar pozitive seriozitetin me të cilën Qeveria e Kosovës i referohet ekspertizës së Komisionit të Venecias, që dëshmon vullnetin e vendit tonë për të respektuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Ministri Selimi dhe shefi i Zyrës së KiE-së Power, kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Evropës në çështje kyçe, të cilat avancojnë sistemin tonë të drejtësisë. /Gazeta Sinjali/