Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se çështja e raportit të Kosovës me Serbinë nuk do të jetë çështje prioritare e qeverisë së re.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Selimi ka thënë se qeveria e re do të bëjë ndryshime të mëdha kundrejt Serbisë, dhe se raporti me këtë shtet nuk do të jetë diskutim parësor i qeverisë.
“Do të ketë ndryshime jo vetëm kundrejt dialogut, por komplet kundrejt Serbisë, në favor të interesit të qytetarëve të Kosovës dhe në mbrojtje të integritetit territorial. Qeveria e re nuk ka me e nisë me çështjen e Serbisë. Ka shumë çështje tjera para se ta diskutojmë raportin e Kosovës me Serbinë. Janë interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Serlimi.
Ai e sheh tërësisht të ndarë raportin me ndërkombëtaret dhe atë me Serbinë. Sipas tij, këto dy raporte nuk duhet të lidhen assesi.
Nuk duhet kurrë të lidhet raporti i Kosovës me Serbinë me raportin e Kosovës me ndërkombëtarët. Është gabim i madh nëse krahasohen ose lidhen këto dy raporte. Pra nuk duhet të përzihen këto dya. Raporti i Kosovës me Serbinë është tjetër, raporti i Kosovës me miqtë është tjetër. Nuk duhet që ne ta cilësojmë si të njëjtë raportin me Serbinë armike ndaj nesh, me raportin me miqtë tanë. Pra nuk duhet të përzihen këto gjëra dhe s’kanë të bëjnëme njëra-tjetrën fare. Këto gjëra duhet të ndahen njëherë e përgjithmonë”, ka theksuar Selimi.
Lënia jashtë qeverisë e Listës Serbe, sipas Selimit nuk do të përbëjë problem. Për këtë, ai beson se nuk do të thonë gjë as ndërkombëtarët.
“Nuk besojmë absolutisht se do të jetë problem. Kjo është e drejtë e partive politike”, shprehet ai.
Selimi thekson se raporti me Listën Serbe apo me partitë e tjera është zgjedhje ekskluzive e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe si e tillë, atë nuk mund ta cenojë askskush. /Gazeta Sinjali/