image SBAShK: Janë vaksinuar 80% e mësimdhënësve, nuk ka termine të lira për të tjerët

Arsim

SBAShK: Janë vaksinuar 80% e mësimdhënësve, nuk ka termine të lira për të tjerët

news image

Për shkak të rritjes së numrit të rasteve të infektimit me COVID-19 dhe vdekjeve të shkaktuar nga ky virus, Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës kanë vendosur që fillimi i vitit të ri shkollor të shtyhet deri më 13 shtator.

Kjo ministri u ka bërë thirrje mësimdhënësve dhe personelit të shkollave që të vaksinohen kundër COVID-19.

Kësaj thirrjeje deri tani i janë përgjigjur 80 për qind e tyre, ndërsa të tjerët ankohen se nuk po mund të imunizohen për shkak të mungesës së termineve të lira.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Ymer Ymeri.

“Po, bazuar në të dhënat e para dy ditëve, për shkak se të dhënat e dy ditëve të fundit nuk i kemi, janë 20 mijë e 675 mësimdhënës që janë vaksinuar. Nëse nuk e përfshijmë në këtë numër punëtorët arsimorë që punojnë me mësim në gjuhën serbe, për shkak se nuk kemi të dhëna për ta, diku del se mbi 80 për qind e tyre janë vaksinuar.”

“Arsyet (e mosvaksinimit) janë sepse ka mungesë të termineve të lira nëpër komuna të ndryshme, p.sh., Prishtina po ka pak më shumë telashe, Mitrovica po ashtu, dmth janë kryesisht mundësia e caktimit të termineve. Janë shumë të rrallë ata që nuk duan, përndryshe të tjerët nuk janë vaksinuar për shkak se nuk po munden të caktojnë termine. Një pjesë e tyre vetëm i kanë caktuar dhe po presin për marrjen e vaksinës. Deri në fillim të vitit të ri shkollor, presim që të vaksinohen të gjithë”, tha ai.

Sipas masave të reja të vendosura nga qeveria gjatë javës që shkoi aktiviteti arsimor në institucione publike dhe private të arsimit parauniversitar është pezulluar deri më 13 shtator./Gazeta Sinjali/