image Nagavci: Viti i ri shkollor do të fillojë me orar të rregullt - Sinjali

Nagavci: Viti i ri shkollor do të fillojë me orar të rregullt

news image

Viti i ri shkollor 2021-2022 do të fillojë me prezencë fizike në shkolla dhe me orar të rregullt, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

“Pandemia ka shkaktuar çrregullime të shumta edhe në arsim andaj jemi shumë të interesuar që vitin e ri shkollor 2021-2022, ta fillojmë me prezencë fizike dhe me orar të rregullt“, shkroi ajo në Facebook.

Postimi i plotë:

Pandemia ka shkaktuar çrregullime të shumta edhe në arsim andaj jemi shumë të interesuar që vitin e ri shkollor 2021-2022, ta fillojmë me prezencë fizike dhe me orar të rregullt.

Në mënyrë që viti shkollor të fillojë me kohë dhe pa probleme, jemi përkujdesur që në mesin e personave të vaksinuar kundër Covid-19 të jenë edhe mësimdhënësit. E kemi diskutuar me kohë me Ministrin e Shëndetësisë, zt. Arben Vitia dhe tashmë po realizohet edhe vaksionimi i mësimdhënësve.

Të mërkurën jemi njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë se në mesin e personave që do të vaksinohen në vijim, përveç personave mbi moshën 65 vjeçare, të sëmurëve kronik e punëtorëve shëndetësorë , do të jenë edhe mësimdhënësit.

Këtë informatë e kemi përcjellë sot edhe tek Drejtoritë Komunale të Arsimit të cilat do t’i informojnë shkollat me detajet e këtij procesi.

Çdo individ apo institucion duhet të aplikojë për caktim të terminit në eKosova, sipas njoftimeve të MSh-së për kategoritë që do të vaksinohen sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin