Aktorja Adriana Matoshi ka kandiduar për herë të parë për deputete në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë më 14 shkurt të këtij viti, shkruan Gazeta Sinjali.
Matoshi e njohur për rolin e saj “Sasa” në serialin “O sa mirë” ka arritur t’i sigurojë 10 mijë e 403 vota, duke lënë pas vetes politikanë me karrierë të gjatë politike.
Sasa ka lënë pas me vota ish-zëvendëskryeministrin e parë në Qeverinë Kurti, Haki Abazi, i cili është deputeti më pak i votuar i Vetëvendosjes.
Matoshi ka lënë pas vetes edhe ish dy zëvendëskryeminsitrat në detyrë në Qeverinë Hoti, Driton Selmanajn e LDK-së, e Besnik Tahirin e AAK-së.
Më pak vota se “Sasa” kanë marrë edhe ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, ish-ministri i Drejtësisë në Qeverinë Haradinaj, Abelard Tahiri, ish-ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti, Xhelal Sveçla dhe ish-ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë Haradinaj, Albena Reshitaj./Gazeta Sinjali/