image Sarrazin: Kosova tashmë ka 'gëlltitur' Asociacionin, presim veprime në ditët e ardhshme

Politikë

Sarrazin: Kosova tashmë ka ‘gëlltitur’ Asociacionin, presim veprime në ditët e ardhshme

news image

Manuel Sarrazin, i dërguari i Qeverisë Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe tashmë “është gëlltitur” nga Kosova.

Këtë deklaratë Sarrazin e bëri pasi të hënën u takua me kryeministrin Albin Kurti në rezidencën e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili e kishte fruar shefin e qeverisë kosovare në një “darkë pune”. I pranishëm aty ishte edhe përfaqësuesi special i Austrisë për Ballkan Perëndimor, Johannes Eigner. Kurti, gjithashtu e kishte me vete edhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetaren e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusarin.

“Përshtypja ime është se kjo, për palën kosovare, tema shumë e vështirë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tashmë është gëlltitur. Si Gjermania, ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë kanë qenë gjithmonë të qartë për faktin se presim që Kosova ta përmbushë këtë dhe përshtypja ime është se kjo tani është pranuar edhe në Prishtinë. Mund ta kem gabim, por kjo është përshtypja nga takimet e mia në Prishtinë – se ata kanë bërë një hap përpara. Dhe ne presim që ata ta tregojnë atë në terren në ditët dhe javët në vijim”, tha i dërguari i Gjermanisë në një intervistë për KoSSev.

Sarrazin e nisi këtë javë me vizitën në Kosovë dhe foli për mediumin serb pak para se të nisej për në Beograd.

Ai tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë e arritur më 18 mars në Ohër paraqet një shans të rëndësishëm për të gjithë rajonin në rrugën drejt Bashkimit Europian. Megjithatë, zbatimi është çelësi për ta bërë këtë një “histori vërtet të madhe suksesi”, tha ai.

“Shumë njerëz në rajon do të thonë se unë jam një idiot sepse besoj në lëvizjet pozitive, por si pjesë e Procesit të Berlinit, ne kemi treguar se është e mundur të arrihen marrëveshje pozitive nëse mendoni pozitivisht, dhe unë mendoj se Ohri mund të jetë një pikë kthese”, tha ndër tjerash Sarrazin.

Gjermania, shtoi ai, u përpoq më së shumti të ndihmonte për ta arritur këtë marrëveshje në Ohër, por gjithashtu, pranoi ai, “ushtronte presion të fortë mbi të dyja palët për të rënë dakord”.

“Ne po përpiqeshim t’u thoshim atyre – dëgjoni, ky është shansi juaj, mos e humbisni këtë shans, mund të mos merrni shumë të reja”, tha i dërguari i qeverisë gjermane.

Ai megjithatë vlerëson se shumë nuk besojnë në “vullnetin politik që u shfaq në Ohër”.

“Prandaj, është vendimtare të dëshmohet vullneti politik tani, përmes zbatimit”, tha ai.

Edhe pse ka refuzuar të flasë më hollësisht për kuptimin e termit “vetëmenaxhim për serbët”, Sarrazin thekson se tashmë është e qartë se marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet.

“Dhe neni 7 përshkruan se si duhet të bëhet. Megjithatë, nuk do të komentoj qartë se cila është saktësisht shkalla e pushtetit, është jashtë kompetencës sime. Është e rëndësishme që ne ta gjejmë një mënyrë për të arritur në procesin e gjetjes së qëllimit të duhur, lartësinë e këtyre pyetjeve. Kjo është diskutuar në dialog”, tha ai.

Megjithatë, Sarrazin beson se Prishtina ka pranuar ta përmbushë këtë obligim dhe pret ta tregojë.

Ai pranon se Kosova dhe Serbia kanë vizione të ndryshme për Asociacionin, por gjithashtu beson se është e mundur të arrihet një marrëveshje “me të cilën të dyja palët duhet të pajtohen”.

“Mendoj se paraqet njëfarë progresi që nga hedhja e gazit lotsjellës kundër ndonjë Asociacioni erdhi deri te ‘nuk do të pajtohem me atë që është vizioni i Serbisë’. Pra, le të përpiqemi të marrim diçka atje”, tha Sarrazin.

/GazetaSinjali/