image Saranda Bogujevci rrëfen historinë e masakrës në familjen e saj

Sociale

Saranda Bogujevci rrëfen historinë e masakrës në familjen e saj

news image

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se është i vështirë për të çdo përvjetor që e kujton masakrën e bërë ndaj familjes së saj nga ushtria serbe në luftën e fundit në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.

Bogujevci u shpreh se për krimet e bëra nga ushtria serbe ndaj kosovarëve duhet të bëhet punë dhe angazhim nga të gjithë.

“Secili vit, secili përvjetor është çdo herë e më i vështirë. Por, në të njëjtën kohë, për secilin prej nesh ajo që e kemi kaluar në atë periudhë kohore, mbetet me ne në përditshmërinë tonë. Këto përkujtime janë të vështira çdo herë, për mua është me rëndësi ta përmend që sot ishim në përvjetorin e Krushës së Madhe, Krushës së Vogël dhe familjes Berisha në Suharekë,  më e vështira është kur i sheh gratë që ende nuk dinë për fatin e familjarëve të tyre, kjo është goxha e vështirë”, tha ajo në Klan Kosova.

Ajo tha se është e nderuar që është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit të Kosovës teksa shtoi se është me fat që në këtë pozitë mund të flas për krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë.

“Ndjehem shumë e lumtur dhe e nderuar që më është besuar kjo detyrë brenda Parlamentit të Kosovës. E rëndësishme është që e kemi lirin, por kemi shumë punë për të bërë që ta fuqizojmë vendin tonë dhe të arrijmë në një ku çdo përfaqësim i yni të jetë i barabartë në raport me shtetet tjera, ne kemi ende punë për të bërë në këtë drejtim”, shtoi ajo.

E dyta e Kuvendit ka theksuar se i është mirënjohëse subjektit që i takon Lëvizjes Vetëvendosje për mundësitë dhe mbështetjen që i kanë dhënë.

“Ndjehem me fat që jam pjesë e LVV-së, aty më kanë dhënë hapësirë dhe një përkrahje shumë e madhe. Këtë herë me propozim të tyre jam nënkryetare dhe u jam mirënjohëse që kanë pasë besim në mua dhe punën time për të më dhënë një detyrë siç është nënkryetarja e Kuvendit, ndjehem shumë e nderuar”, ka thënë Bogujevci./Gazeta Sinjali/