Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skënderaj, Sami Lushtaku, përsëri ka shkelur masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vend, shkruan Gazeta Sinjali.
Së fundmi, Lushtaku ka bërë fushatë te nëndegët e këtij subjekti politik në qytetin e Skënderajt.
Kështu ka bërë të ditur vetë Lushtaku përmes një postimi në Facebook, gjersa shihet në pamjet e publikuara se ai ka mbledhur dhjetëra persona në ambient të mbyllur.
Po ashtu, personat që janë të pranishëm në këtë tubim nuk kanë maska dhe nuk po respektojnë distancën mes vete.
“Sot takova grupin tjetër të shtabeve zgjedhore të nëndegëve në Skenderaj. Entuziazmi në Skenderaj është aq i madh sa nuk thuhet. Ky motiv i strukturave tona do të kurorëzohet me fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës”, shkroi Lushtaku në Facebook.
Gazeta Sinjali ka raportuar edhe raste të tjera kur Sami Lushtaku ka shkeluar masat antiCOVID.