Bahrim Šabani, që deri dje ishte zëvendësministër i Zhvillimit Rajonal, nuk është njoftuar për arsyet e lirimit të tij nga detyra pasditën e djeshme.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Šabani ka thënë se është informuar nga mediat për shkarkimin e tij nga posti i zëvendësministrit, ndërsa kryeministri Albin Kurti dhe kabineti i tij nuk e kanë treguar arsyen për këtë vendim.
“Unë për këtë vendim jam informuar nga mediat. Më së miri është ta pyesni z. Kurtin i cili e ka marë këtë vendim. Ata e kanë marë këtë vendim dhe nëse ata nuk e dinë, unë nuk e di kush e di”.
Ndonëse nuk e di arsyen, Šabani beson që pos asaj politike, nuk mund të ketë tjetër.
“Nuk e di, por e di që pos arsyes politike, tjetër arsye nuk ka”, ka thënë ai.
I pyetur nëse arsyeja e shkarkimit të tij lidhet me mocionin për rrëzimin e qeverisë, përfaqësuesi boshnjak i koalicionit ‘Vakat’ ka thënë se zëvendësministrat e partive që votuan pro mocionit janë ende në qeveri.
“Unë jam i vetmi zëvendësministër që jam liruar nga puna. Ju e dini që gati të gjitha partitë kanë votuar pro mocionit, por zëvendësministrat e tyre ende janë në qeveri. Për këtë arsye përgjigjen duhet ta japë z. Kurti sepse vetëm ai e di arsyen e shkarkimit. Tjetër s’kam çfarë të them”, është shprehur Šabani.
Dokumenti i vendimit për shkarkimin e Bahrim Šhabanit nuk saktëson askund arsyen e shkarkimit, ndërsa atë nuk e tregojnë as kryeministri Kurti dhe as kabineti i tii.
Gazeta Sinjali për këtë i ka dërguar pyetje Zyrës së Kryeministrit, por edhe shefit të kabinetit të Kurtit, Luan Dalipit dhe zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziut. Asnjëri nga ta nuk është përgjigjur. /Gazeta Sinjali/