Rreth 100 persona janë intervistuar deri më tani nga Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë. Gjatë ditëve të fundit është shtura numri dukshëm i personave të intervistuar, ndërsa nuk dihet qartë nëse janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve apo të dëshmitarëve.
Vetëm ditë më parë nga OVL e UÇK-së u konfirmua për Gazetën Sinjali se rreth 15 persona të tjerë janë ftuar nga Prokuroria Speciale me Seli në Hagë.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme njëri nga të ftuarit në Hagë, Lulzim Kabashi, pritet të kthehet në Prishtinë. Ai kishte udhëtuar më 24 shtator ndërsa do të kthehet sonte.
“Kryetari Kabashi ka udhëtuar për në Hagë me datë 24 shtator, ku është ftuar në cilësinë e dëshmitarit, sepse ai ishte komandant i batalionit të dytë të brigadës 125 në zonën oprative të Pashktrikut. Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë deri më tash ka intervistuar rreth 100 persona”, thuhet në njoftimin nga AAK
Kujtojmë se deri më tani janë ftuar për intervistë edhe kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj si dhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës./Gazeta Sinjali/