image Rruga "Uran Ajeti" më shumë se 1 vit e vërshuar nga ujërat e zeza, Komuna nuk ka filluar ende punimet

Sociale

Rruga “Uran Ajeti” më shumë se 1 vit e vërshuar nga ujërat e zeza, Komuna nuk ka filluar ende punimet

news image

Banorët e rrugës “Uran Ajeti” në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, janë në hall me ujërat e zeza, të cilat ka më shumë që një vit që rrjedhin pa ndërprerë nga gypi i kanalizimit, raporton Gazeta Sinjali.

Ata thonë se për këtë problem kanë informuar disa herë Komunën dhe ujësjellësin, por që deri tani kjo prishje nuk është rregulluar.

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arieta Mjeku, tha për Gazetën Sinjali se gypi i kanalizimit në këtë rrugë është shumë i dëmtuar për shkak të peshave të rënda të makinerive që kalojnë në atë pjesë, si dhe pozicionit të cekët që ky gyp e ka.

Për ta rregulluar këtë problem, ajo tha se ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit në atë rrugë kanë intervenuar me dhjetëra e dhjetëra herë. Mirëpo, për shkak se rasti ka të bëjë me ndrydhje të gypit, nga KRU vlerësojnë se intervenimet e tilla janë të përkohshme.

Për zgjidhjen e këtij problemi, zëdhënësja e kësaj ndërmarrjeje tha se ujësjellësi dhe Komuna e Prishtinës kanë arritur një marrëveshje.

Sipas kësaj marrëveshjeje, ajo thotë se ujësjellësi ka ndërruar një segment të gypit të kanalizimit me gjatë prej 30 metra, ndërsa Komuna e Prishtina ka premtuar se do të merret me pjesën tjetër.

Kështu, Mjeku thotë se tani kjo prishje është në përgjegjësi të Komunës së Prishtinës, e cila, sipas marrëveshjes, ka premtuar se do ta bëjë ndërrimin e tërësishëm të rrjetit të kanalizimit, gjë e cila, sipas saj, do të fillojë shumë shpejt.

“Ka mbetë aty që, Komuna e Prishtinës të merret me komplet ndërrimin e rrjetit të kanalizimit dhe sipas informacioneve që kemi, ata shumë shpejt do të merren me këtë problem që po i shqetëson banorët”, tha ajo.

Mirëpo, një banor i kësaj rruge e mohon se ujësjellësi ka ndërruar një gyp me gjatësi prej 30 metrash. Sipas tij, ekipet e ujësjellësit kanë intervenuar në dy pjesë, jo në 30 metra dhe se kanë tentuar ta sanojnë problemin duke ndërruar dy gypa, e jo më shumë.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në adresë të Komunës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.

Sinjali ka raportuar disa herë për këtë problem me të cilin banorët e kësaj rruge ka më shumë se një vit që po përballen./Gazeta Sinjali/