Saktësisht 46 pacientë të prekur me koronavirus kanë ndërruar jetë brenda kësaj jave në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Numri i të vdekurve shënoi rritje krahasuar me javën e kaluar, gjatë së cilës vdiqën 33 persona.
Personi më i ri që e pësoi vdekjen nga COVID-19, ishte një 40-vjeçar nga Ferizaj, i cili u raportua i vdekur më 21 janar.
Ndërkohë, pacienti më i vjetër që vdiq nga koronavirusi ishte një 90-vjeçar nga Prishtina, për vdekjen e të cilit Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi sot.
Gjatë këtyre ditëve, sipas të dhënave të IKSHPK-së, u regjistruan 2 mijë e 237 raste pozitive me këtë virus, kurse u shëruan 1 mijë e 684 të tjerë.
Që nga 13 marsi, kur u regjistruan dy rastet e para me COVID-19 e deri tani, numri total i rasteve pozitive me këtë virus në Kosovë është 58 mijë e 88 raste nga 219 mijë e 760 persona që u testuan për SARS-CoV-2.
Gjatë këtyre muajve si pasojë e infektimit me koronavirus kanë vdekur 1 mijë e 456 raste të vdekjes.
Ndërkohë, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 50 mijë e 953 raste.
Momentalisht, numri i rasteve aktive me COVID-19 është 5 mijë e 679./Gazeta Sinjali/