image Rritet bilanci në Itali, 10 persona humbin jetën, 322 të infektuar

Botë

Koronavirusi/ Rritet bilanci në Itali, 10 persona humbin jetën, 322 të infektuar

news image

10 persona kanë humbur jetën ndërkohë që 322 rezultojnë të prekur; ky është bilanci aktual në Itali nga koronavirusi.

Nisur nga çfarë raportojnë mediat fqinje, mësohet se gjatë orëve të fundit janë ndarë nga jeta tre të moshuar.

Saktësisht 240 raste dhe 9 viktima janë në Lombardi, 43 raste dhe një i vdekur në Veneto, 26 raste në Emilia Romagna, 3 në Piemonte, 3 në Lazio, 3 në Siçili, 2 në Toskanë, një në Alto Adige dhe një tjetër në Liguria.

Giuseppe Conte ishte shfaqur disi  më optimist në daljen e fundit: jam i bindur se në ditët në vijim, do të arrijmë ta frenojmë përhapjen e sëmundjes, u shpreh ai. Pak pas deklaratës së kryeministri, një 72-vjeçar u konfirmua me koronavirus në Liguria. Kreu i rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana, u përpoq megjithatë ta minimizonte rëndesën e situatës, duke pranuar se gjendja është e vështirë megjithatë jo aq e rrezikshme sa thuhet.

Sipas tij, virusi është shumë agresiv në përhapje, por më pak në pasoja dhe duhet trajtuar pak a shumë, si një grip normal. Kësaj linje i qëndron dhe ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn. Por virologu Alexander Kukele tha për Deutschlandfunk, se Spahn është duke e nënvlerësuar rrezikun e koronavirusit.

“Nëse vdekshmëria tek gripi është 0,1% në rastet e Covid 19 është më e lartë, 0,5-1,5%. Kjo do të thotë, se për ata që infektohen, virusi është 10 herë më i rrezikshëm”, deklaroi Kukele, duke kujtuar se koronavirusi i ri mund të jetë vdekjeprurës jo vetëm për pleqtë, si në rastin e gripit, por edhe për personat e moshës.

Lajmet për përhapjen e shpejtë të virusit ndryshojnë nga ora në orë. Kroacia njoftoi rastin e parë me Covid 19; pacienti është një djalë i ri i kthyer nga Milano. Austria gjithashtu zbuloi dy raste në rajonin e Tirolit, në kufi me Italinë. Turqia ka izoluar 132 vetë në bordin e një avioni të ardhur nga Irani prej dyshimit për persona të infektuar. Në një hotel në Tenerife të Spanjës janë izoluar me qindra pas dyshimit të përhapjes së infeksionit. Në Iran rezultoi pozitiv ndaj koronavirusit edhe vetë zëvëndësministri i Shëndetësisë. Videoja që e tregonte Iraj Harirchi duke fshirë djersët në një konferencë për shtyp gjatë fushatës kundër virusit, është bërë virale.

Vetëm disa orë më vonë, Harirchi u konfirmua dhe vetë si i prekur nga virusi, teksa bilanci zyrtar i autoriteteve shëndetësore iraniane flet për 15 të vdekur nga Covid 19-ta dhe 95 të infektuar. /Gazeta Sinjali/