Rreth 70 ankesa janë bërë deri më tash në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas shpalljes së rezultatit zgjedhor nga ana e KQZ-së.
Kohën e ankesave e kanë shfrytëzuar gati të gjitha partitë e koalicionet që garuan në zgjedhje. Ky afat përfundon në orën 10:00 të ditës së sotme deri kur mund të ankohen subjektet politike të cilët janë ndarë të pakënaqura nga rezultati i zgjedhjeve të gjashtë tetorit.
Mulë Desku nga PZAP-i ka bërë të ditur se janë dorëzuar 67 ankesa. Sipas tij NISMA-AKR-PD ka dorëzuar një ankesë në emër të partisë për votat e Serbisë, një në emër të Haxhi Shalës. LDK-ja 14 ankesa për kandidatë. PDK-ja 1 e ka dorëzuar, AAK-ja asnjë. Ai ka bërë të ditur se edhe Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë.
Në rast se PZAP-i ua hedh poshtë ankesat, subjektet politike kanë të drejtë ankimi në Gjykatën Supreme, brenda 24 orëve.
PZAP-i ka afat 72 orë për të vendosur mbi ankesat e subjekteve. Nëse ankesa refuzohet si e pabazuar, subjektet mund të ankohen në Gjykatën Supreme, pas së cilës nëse nuk vendoset ndryshe, KQZ-ja mund të procedojë me certifikim të rezultateve. Instanca e fundit ndërkaq mbetet Gjykata Kushtetuese.
Subjektet politike dhe kandidatët të cilët janë të pakënaqur me rezultatet përfundimtare të KQZ-së kanë të drejtë të paraqesin ankesa deri në orën 10:00 të ditës së sotme. / Gazeta Sinjali/