image Rreth 60 për qind e bizneseve në Kosovë punëtorët i paguajnë me para të gatshme

Financa

Rreth 60 për qind e bizneseve në Kosovë punëtorët i paguajnë me para të gatshme

news image

Në raportin e publikuar nga Iniciativa e Kosovës për Stabilitet mbi mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës në vend, bëhet e ditur se rreth 60 për qind e bizneseve në Kosovë punëtorët e tyre i paguajnë me para në dorë, kurse 15 për qind i paguajnë pjesërisht me para në dorë.

“Jashtë informalitetit të punës së pa raportuar, informaliteti në kompensim është forma më e shpeshtë që besohet të jetë e pranishme në treg. Një përqindje lartë e të anketuarve, apo 57.5 për qind raportojnë se e paguajnë personelin e tyre plotësisht me para të gatshme.

15 për qind gjithashtu raportojnë se i paguajnë ata pjesërisht me para të gatshme, ndërsa vetëm 27.5 për qind e kompanive raportojnë se punëtorët pagat e tyre i marrin përmes transferave bankare”, thuhet në raport.

Ndërsa në lidhje me mbajtjen e regjistrave të pagave, disa prej kompanive raportojnë se nuk e mbajnë një të tillë.

“Një tjetër kërkesë me ligj, në shërbim të zyrtarizmit të punës është mbajtja e një regjistri të pagave. 15 për qind e të anketuarve raportojnë haptazi për mosmbajtjen e këtyre regjistrave. Ky lloj informaliteti është i lidhur ngushtë me punën e paraportuar dhe kompensimin me para të gatshme të punëtorëve dhe zbatimi i tij më i rreptë me siguri që do të çonte në uljen e të dy formave të tjera të informalitetit në tregun e punës”, vijon raporti.

Lidhur me pushimet që parashihen në Ligjin e Punës në Kosovë, sipas anketës, kjo është një nga dispozitat më të shpeshta që shkelet në sektorin privat.

“Pothuajse 33 për qind e të anketuarve raportojnë se punëtorëve të tyre nuk u lejohen pushimet e tyre vjetore siç parashihet me Ligjin e Punës. Rreth 40 për qind e punëtorëve u mohohet e drejta themelore e pushimit vjetor”, tregon raporti.

Raporti është realizuar me 80 biznese në mbarë Kosovën, duke përfaqësuar tre sektorët më aktivë, përkatësisht prodhimi, tregtia me pakicë dhe shërbimet./ Gazeta Sinjali/