Në Komunën e Prishtinës vazhdojnë të jenë aktive rreth 3 mijë e 400 raste me COVID-19, ndërsa brenda ditës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Emshir, ku trajtohen pacientët me koronavirus në kryeqytet po kërkojnë trajtim mjekësor deri në 400 persona.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi ka thënë se gjatë kësaj periudhe në kryeqytet numri i personave pozitivë është jashtëzakonisht i madh.
“Rreth 3 mijë e 400 raste aktive deri tani që është një numër jashtëzakonisht i madh e dini që në janar i kemi pas rreth 1 mijë raste aktive tani është numri më i madh i rasteve aktive”, deklaroi drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë për kosovapress.
Gashi thotë se në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Emshir trendi i pacientëve që po kërkojnë trajtim është pothuajse i njëjtë që nga fillimi i muajit mars. Ai thekson që brenda ditës në këtë qendër po marrin shërbime nga 300 deri në 400 pacientë.
“Qendra e Mjekësisë Familjare numër 7 vazhdon të mbajë një status një gjendje të njëjtë afërsisht të rasteve të cilat kërkojnë trajtim në atë qendër ku afërisht prej 300 deri 400 qytetar kërkojnë ndihmë në këtë qendër brenda ditës që ka qenë në vazhdimësi që ka qenë në vazhdimësi i tërë muaji mars thuajse ka qenë ndoshta data 5-6 mars e këtej kah fundi kah prilli ka qenë thuajse secila datë ose secila ditë ka qenë me këto vlera ku janë sjellë prej 300 deri 400 ka pas ditë edhe deri në 470 qytetarë që kanë kërkuar trajtim parenteral në Qendrën në Emshir”, tha ai.
Drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet, Bujar Gashi ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk i ka furnizuar me 18 artikuj të listës esenciale, por thotë se nga ky institucion kanë marrë konfirmimin se do nis furnizimi së shpejti.
“Kemi pasur disa mungesa, vazhdojmë të kemi, dje u informova se do të furnizohem me disa prej tyre, ne kemi nisur edhe disa procedura vetanake. Kanë qenë diku 18 artikuj të listës esenciale, barna dhe material shpenzues që kanë munguar thuajse tre muajt e fundit, dje mora konfirmimin se një prej tyre veç do furnizohemi, e kemi iniciuar edhe një procedurë vetanake dhe po shpresoj që deri në fund të javës tjetër do i kompletojmë të gjitha. Mungesa të mëdha nuk ka pasur sepse nuk kemi lejuar i kemi koncentruar ose centralizuar në Emshir që rasteve me COVID mos t’iu bie të dalin dhe të blejnë në sektorin privat për çështje elementare apo barna esenciale siç e diskutojmë një sistem infuzioni, një flaster, një kanill, një shiringë apo diçka por një gjë të tillë nuk kemi lejuar. Dy antibiotikët kryesorë i kemi pasur dhe vazhdojmë t’i kemi Cefriaksonin dhe Ciprofloxasin. Ka pasur mungesë të furnizimit me sisteme, me NaCl 100 ml, ka pasur mungesë furnizimi me flaster me vatë higjienike”, ka thënë Gashi.
Nga 30 marsi në Kosovë ka nisur vaksinimi i personelit shëndetësor me vaksinën AstraZeneca. Ndërsa, nga data 8 prill ka nisur edhe vaksinimi i personave mbi moshën 85-vjeç. /Gazeta Sinjali/