Një mbindërtim ilegal në lagjen “Bregu i Diellit” në kryeqytet është rrënuar sot nga Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Prishtinës, përmes një njoftimi, në të cilin thuhet se pronari nuk ka respektuar vendimet për ndërprerjen e punimeve.
“Drejtoria e Inspekcionit, Sektori i Ndërtimit, ka rrënuar sot një mbindërtim ilegal në lagjen ‘Bregu i Diellit’. Në rastin në fjalë, qysh prej fillimit të punimeve, inspektori i zonës i ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, por nuk është përfilluar nga pala.”
“Pas shkeljes së vendimit për ndërprerje të punimeve, është nxjerrë vendimi për rrënim, me ç’rast pala ka pas afat disa ditë për ta rrënuar vet mbindërtimin. Meqë një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe afati ka kaluar, vendimi u zbatua nga inspektorët përkatës përmes kompanisë së kontraktuar për rrënime”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës./Gazeta Sinjali/