Duke nisur nga dita e sotme, e hëna e 11 majit, në Shqipëri hapen qendrat tregtare, parukeritë dhe dentistët, të mbyllur prej dy muajsh, prej emergjencës së koronavirusit.
Në qendra tregtare nuk do të kemi luksin që të kalojmë një paradite apo pasdite të gjatë. Koha do të jetë e kufizuar, në mënyrë që të mos krijohen grumbullime. Shkoni në qendra vetëm kur është e nevojshme, thuhet në rregullore.
Rregullat kryesore janë:
-Një vizitor mund të qëndrojë vetëm për maksimum 2 orë dhe në qendër nuk mund të lejohen më shumë se 50% e kapacitetit të saj në të njëjtën kohë.
-Qendra tregtare duhet të informojë paraprakisht vizitorët për limitin e fashës orare dhe kapacitetet që qendra tregtare duhet të ketë gjatë kësaj periudhe.
-Qendra tregtare duhet të ketë dyer elektrike, duhet të përcaktojë vetëm një hyrje dhe një dalje, pra lëvizje e vizitorëve vetëm në një drejtim.
-Të gjitha pikat e hyrjes në qendër duhet të jenë të hapura për të siguruar kalimin e vizitorëve në korridorin e sigurisë, i cili duhet të jetë me shenja të dukshme në dysheme.
-Qendrat tregtare do të kenë një plan veprimi për higjienën dhe desinfektimin.
-Të gjitha qendrat tregtare do të kenë një dhomë izolimi mjekësor për qëllime urgjente në rast se dikush në qendër dyshohet se është i infektuar nga virusi.
-Sipërfaqet me nivel ndotje apo prekje të lartë duhet të pastrohen shpesh me dezifektante. (shkallët elektrike, butoni ashensorit, tualetet etj.)
-Të përdoret ashensori por jo më shumë se 30% e kapaciteteve të tij
Qendra tregtare dhe dyqanet të promovojnë pagesat me kartë por nuk përjashtohet pagesa “cash”.
Shërbimet tregtare me tavolina apo shërbim në këmbë, nuk lejohen gjatë kësaj periudhe në ambientet e brendshme të qendrës tregtare.
-Subjekti shërben vetëm një klienti në ambient, ndërkohë që të tjerët presin jashtë në radhë me distancë 2 metra nga njëri-tjetri. Në ambientet më hapësirë mbi 30 metra katrorë mund të lejohet proporcionalisht një klient tepër për çdo 10 metra katrorë shtesë ambienti, duke orientuar klientët në ruajtjen e distancës.
Jashtë vendosen shenjat identifikuese të radhës për hyrje në ambient ose mund të vendoset një punonjës për të drejtuar hyrje-daljen e klientëve. Në arkë vendoset shenja identifikuese e distancës klient-arkë./Gazeta Sinjali/