Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka dalë kundër shefit të tij, Albin Kurtit.
Ky reagim i Rrahmanit ka ardhur pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka injoruar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta shtyrë vendimin për targat për 10 muaj.
“Garanci e plotë për integritetin, sovranitetin, zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës është koordinimi e bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Eman Rrahmani, deputeti i Grupit më të madh Parlamentar në Kuvend.
“Ne duhet të dëshmohemi me punë konkrete, planifikimin dhe bashkëpunim të mirëfilltë në interes të shtetit dhe qytetarëve të vendit tonë, pa dallim”, ka shkruar tutje ai, në profilin e tij në Facebook.
Ndryshe, më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10 mijë makina me targa serbe.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për riregjistrimin për targat.
SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.
“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Christopher Hill për televizionin N1.
Serbët ishin integruar në institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, pasi Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.