image Gjashtë raste të dhunës për 24 orë, dy të dyshuar të liruar nga policia

Siguri

Gjashtë raste të dhunës për 24 orë, dy të dyshuar të liruar nga policia

news image

Rastet e dhunës në familje nuk janë të rralla në vendin tonë, ku shpeshherë viktima të dhunës janë femrat dhe pavarësisht që ato raportohen në polici jo gjithmonë merrën masa të duhura të sigurisë ndaj të dyshuarve, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjashtë raste të tilla të dhunës në familje.

Gjatë së enjtes në Gjakovë, një grua ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj dhe si pasojë e këtij sulmi ajo ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari për këtë rast është arrestuar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Rast i tillë ka ndodhur edhe në Vushtrri gjatë ditës së djeshme, ku bashkëshorti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht gruan e tij. Në lidhje me këtë rast është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet.

Rast tjetër ku viktimat e dhunës në familje janë femrat, ka ndodhur gjatë së enjtes në Dragash, ku bashkëshorti ka keqtrajtuar gruan e tij. I dyshuari për këtë rast është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Një person në Prizren është arrestuar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht babain e tij të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar për tretman mjekësor. Kjo ngjarje ka ndodhur gjatë ditës së djeshme rreth orës 13:30, në Prizren.

Një person në Prishtinë është arrestuar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht me mjet të fortë druri vëllain e tij. Si pasojë e lëndimeve të marra viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari për këtë vepër është dërguar në mbajtje. Rasti ka ndodhur dje rreth orës 14:00, në Prishtinë.

Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku bashkëshorti kishte ushtruar dhunë psiqike ndaj saj për vite të tëra. Viktima tani është ndarë nga i dyshuari dhe po trajtohet në seanca psikiatrike. Policia njofton se ky rast është nën hetime. Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme rreth orës 12:30 ./GazetaSinjali/