image Rohde mirëpret vendimin për targat: Kemi nevojë për më shumë burrështetas e më pak rrezikues

Politikë

Rohde mirëpret vendimin për targat: Kemi nevojë për më shumë burrështetas e më pak rrezikues

news image

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas vendimit për shtyrje të afatit për gjobitjen e qytetarëve që mbajnë targa ilegale.

Ai ka thënë se ky është një vendim i mirë që i lejon emisarit special të Bashkimit Europian që të gjejë një zgjidhje për këtë çështje me palët në Bruksel.

“Mirë që kemi më shumë kohë për Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, me palët e interesuara për një zgjidhje. E përsëris: Është absurde të rrezikohet përshkallëzimi për targat. Ne kemi nevojë për më shumë burrështetas e më pak rrezikues*”, ka shkruar Rohde, duke shpërndarë edhe kërkesën e mbrëmshme të ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier.

Mbrëmë pasmesnate, kryeministri Kurti ka pranuar kërkesën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, për ta shtyrë zbatimin e vendimit për gjobitjen e qytetarëve me targa ilegale.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë për 48 orë dhënien e gjobave për qytetarët që vozisin automjetet me targat që Serbia ilegalisht i lëshon për rajone të Kosovës.

*Brinkmanship (rrezikues) është term që i referohet artit ose praktikës së ndjekjes së një politike të rrezikshme deri në kufijtë e sigurisë përpara ndalimit, sidomos në politikë.

/GazetaSinjali/