Ambasadori i ri i Gjermanisë, Jorn Rohde u është drejtuar qytetarëve të Kosovës përmes një videomesazhi në të cilin fillimisht ka treguar se është i impresionuar me ndryshimin që ka pësuar Kosova që nga viti 2001.
Pavarësisht këtij përparimi, ai thotë se në rrugën përpara ndodhen shumë sfida, ndërsa thekson se Gjermania në këtë rrugë do të jetë përkrah Kosovës.
Rohde ka konfirmuar se tashmë rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe Kosova janë në agjendën e Gjermanisë përgjatë kohës sa ky shtet do të udhëheq me presidencën e Bashkimit Evropian.
“Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, janë në listën tonë gjatë presidencës së Këshillit të BE’së. Dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë është prioritet i rëndësishëm”, është shprehur Rohde.
Ai ka përmendur edhe pritjet e Gjermanisë që Kosova të përparojë edhe më tej në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në sundimin e ligjit, kushte këto që janë themelore në procesin e liberalizimit të vizave.
Në fund, Rohde ka thënë se situata me pandeminë në Kosovë nuk është e mirë dhe se Qeveria e Kuvendi duhet të fokusohen në luftën kundër COVID-19. /Gazeta Sinjali