Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, në Forumin e Prespës ka thënë se Kosova nuk është duke e mbështetur “Ballkanin e Hapur” për shkak se bashkëpunimi ndërtohet mbi principet themelore të trajtimit të barabartë.
Gjatë këtij forumi ekonomik të mbajtur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Rizvanolli ka thënë se Kosova megjithatë është e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal.
“Realiteti i cili ka ndodhur në Kosovë para 23 vitesh, si dhe realiteti i cili është duke ndodhur tash në Ukrainë është i domosdoshëm për te besuar se rajoni do të jetë i unifikuar”, ka thënë drejtuesja e dikasterit të ekonomisë.
Ajo ka përmendur po ashtu edhe sfidat në të cilat po kalon Kosova dhe rajoni.
“Kohët e vështira në të cilat po jetojmë, duke filluar me pandeminë e më pas me dështimet në zinxhirët e furnizimeve, inflacionin e krizën e energjisë të cilat janë përkeqësuar edhe më shumë nga lufta në Ukrainë, gjithashtu përfaqësojnë mundësi konkrete për të vlerësuar më mirë, dhe për të shpresuar e përshpejtuar bashkëpunimin rajonal”, ka deklaruar ajo.
Gjithashtu ka folur edhe për perspektivën e Ballkanit Perëndimor në lidhje me Bashkimin Evropian.