image Rikthimi i dhunës në veri - Krejt çka ndodhi gjatë aksionit të Policisë - Sinjali

Rikthimi i dhunës në veri – Krejt çka ndodhi gjatë aksionit të Policisë

news image

Policë e qytetarë sot u lënduan, kurse gazetarë shqiptarë e serbë ishin cak i sulmeve gjatë një proteste të serbëve lokalë ndaj aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave, që u zhvillua më 13 tetor në disa qytete të Kosovës. Tetë persona janë arrestuar ndërsa dhjetë të tjerë janë në kërkim.

Departamenti amerikan i Shtetit sonte ka bërë thirrje për qetësi, pas zhvillimeve të sotme. Ndërsa shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell tha se “veprimet e njëanshme të pakoordinuara janë të rrezikshme”.

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion policor kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut më 13 tetor.

Ky aksion është kundërshtuar nga serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, të cilët kanë protestuar dhe kanë ngritur barrikada.

Në orët e mbrëmjes, barrikadat e vendosura në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë, përkatësisht në vendbanimin në Rudarë, në Komunën e Zveçanit si dhe ato të vendosura në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, janë tërhequr.

Sipas MPB-së, dhjetë policë dhe dhjetë qytetarë janë lënduar, kurse tetë persona janë arrestuar.

Ndërsa 10 të dyshuar për përfshirje me kontrabandë me mallra, janë shpallur në kërkim.

Dyshohet se aksioni i policisë u dekonspirua që nga mbrëmë

Sot Gazeta Sinjali raportoi se barrikadat që janë vënë nga strukturat paralele të organizuar si “mbrojtja civile” në veri, dyshohet se e kanë marrë informacionin qysh mbrëmë dhe kanë alarmuar anëtarët e tyre për ta penguar Policinë e Kosovës.

Edhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, ka thënë se dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit lidhur me operacionin.

“Dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit, po hetohet kjo. Nga 9 lokacione në veri, tetë s’kanë mundur të realizohet operacioni se qytetarët kanë penguar zhvillimin e operacionit. Si pasojë 10 zyrtarë kanë pësuar lëndime, 7 shqiptarë, tre prej tyre hetues, tre operatorë të njësisë speciale e tre të reagimit të shpejtë”, tha drejtori i Policisë.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, ka thënë se aksioni i sotëm në veri të Mitrovicës kundër kontrabandës së mallrave, është iniciuar nga një shërbim aleat.

Reagimet

Pas deklaratës së shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili tha se “veprimet e njëanshme të pakoordinuara janë të rrezikshme”, ka reaguar presidentja Vjosa Osmani.

Osmani ka thënë se “presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson” dhe se sipas saj “kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. “

Reagim pati edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili komentoi deklaratën e Rakiqit që krijoi analogji me rastin e aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës dhe aksionit të fashistëve gjermanë kundër çifutëve në Gjermani.

Rohde përmes një postimi në Twitter, ka thënë është i papranueshëm krahasimi i aksionit të sotëm të Policisë me “natën e kristaltë”.

Stop! Krahasimi i aksionit të sotëm të policisë me “natën e kristaltë” është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt rrëfimeve të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit. #MbroniFaktet”, ka shkruar Rohde.

Kritika ndaj BE-së pati edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, i ka reaguar përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ai ka thënë se BE-ja po e tregon edhe një herë “paaftësinë” e saj në lidhje me Kosovën.

Gjatë tensioneve të sotme në veri u sulmuan edhe gazetarët, me ç’rast pati reagime nga presidentja Osmani, por edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin