Ministri austriak i shëndetësisë, Rudolf Anschober, ka thënë se faza e parë e lehtësimit të masave kufizuese para tri javësh, gjatë së cilës u rihapën mijëra dyqane, nuk ka ndikuar në rritjen e numrit të infektimeve me Covid-19.
“Tash mund t’i vlerësojmë dhe t’i analizojmë efektet e vendimit të 14 prillit dhe ditëve të mëpastajshme shumë mirë dhe ato tregojnë se e kemi menaxhuar në mënyrë të shkëlqyeshme fazën e parë të rihapjes”, tha ministri Anschober.
“Nuk kemi shenja të rrijes së ndjeshme në zona të caktuara. Situata është shumë e qëndrueshme dhe kjo është vërtet një situatë shumë e mirë”, shtoi a.
Vendi alpin kishte reaguar herët me marrjen e masave kundër përhapjes së pandemisë, duke i mbyllur shkollat, restorantet, baret, teatrot dhe dyqanet me produkte joelementare para shtatë javësh.
Këto masa ndikuan që rritja ditore e rasteve të mbetej nën shifrën prej 1 për qind dhe numri i viktimave të ishte relativisht i ulët. Deri më tani, në Austri janë shënuar vetëm 606 të vdekur nga koronavirusi, shkruan “The Guardian”.
E nxitur nga shifrat premtuese, Austria më 14 prill u bë një ndër shtetet e para evropiane që e nisi lehtësimin e masave kufizuese, duke i hapur dyqanet që janë më të vogla se 400 metra katrorë./ Gazeta Sinjali/