Një peticion që i kërkon Italisë tërheqjen e njohjes së Kosovës, i nisur para më shumë se një viti , është riaktivizuar dy javët e fundit. Gjatë këtyre dy javëve, rreth 40 mijë persona kanë nënshkruar peticionin online, të nisur nga disa serbë që jetojnë në Itali, mbështetur edhe nga disa italianë.
Peticioni, më 14 mars të vitit të kaluar u dërgua në Dhomën e Deputetëve në Itali dhe iu besua Komitetit të Tretë për çështjet e Jashtme. Siç duket, mosndërmarrja e ndonjë veprimi nga kjo Dhomë, ka bërë që inicuesit e peticionit të riaktivizohen sërish, shkruan Gazeta Sinjali.
Peticioni mban titullin “Ridiskutimi i Njohjes Italiane për Kosovën e Pavarur”, ndërsa përmes një shkrimi të gjatë dhe një shpjegimi joreal për Kosovën dhe historinë e saj, po bëhen përpjekje për mbledhjen e sa më shumë nënshkrimeve.
“Një pjesë e komunitetit serb, veçanërisht në Metohi, është i detyruar të jetojë në enklavat e rrethuara nga shumica shqiptare; nën presionin e pjesës “perëndimore” të bashkësisë ndërkombëtare, domethënë, një pjesë e madhe e Bashkimit Evropian plus Shtetet e Bashkuara, qeveria shqiptare e Prishtinës shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj nga pjesa tjetër e Serbisë më 17 shkurt 2008. Ky proces i shkëputjes, megjithatë, gjen vështirësi të mëdha për t’u legjitimuar nga Kombet e Bashkuara, ku vetoja ruso-kineze bllokon hyrjen e entitetit kosovar në të gjitha organizatat diplomatike shumëpalëshe”, thuhet në peticion.
Parashtruesit e këtij peticioni thonë se “ish-ministri i Jashtëm D’Alema, e kishte njohur Kosovën pa ndonjë debat paraprak parlamentar dhe pa asnjë përfshirje të forcave politike të mazhorancës dhe as atyre opozitare”.
Tutje, peticioni thekson se Spanja, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Liberia, Grenada, Dominica, Suriname, Sao Tome dhe Principe, Guinea Bissau, Burundi, Papua Nova Guinea, Lesoto dhe Komoritë u janë shtuar në 90 vendeve që nuk kanë ndërmend të njohin Republikën e vetëvendosur të Kosovës”, thuhet tutje në peticion.
Nënshkruesit e këtij peticioni kërkojnë debat parlamentar në Itali për rishqyrtimin e njohjes së Kosovës, ndërsa i kërkojnë qeverisë aktuale italiane “të koordinohet me qeverinë e Beogradit për të marrë informacione të reja në lidhje me situatën aktuale në krahinën e Kosmetit”. /Gazeta Sinjali/