Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka thënë se publikimi i videos së dytë të LVV-së brenda pak ditësh paraqet një metodë demokratike, metoda të cilat sipas tij i përdorë çdo subjekt politik.
Rexhaj ka thënë se një video e tillë është publikuar me qëllim për të treguar se çfarë ka ndodhur me të kaluarën me terminalet.
“Janë metoda demokratike, metoda që i përdorë çdo subjekt politik jo vetëm në Kosovë por gjithandej në Evropë. Krahasimi i punës sonë të hapjes së terminalit në Durrës është lajm i mire për Kosovën po krahas kësaj, ne donim të tregonim se çfarë ka ndodhur në të kaluarën”, ka deklaruar ai.
Një ndër të përmendurit në videon e publikuar të LVV-së ishte edhe Sami Lushtaku.
Lidhur me reagimin e tij, Rexhaj ka thënë se nuk pajtohet me pjesën kur Lushtaku krahason LVV-në me përndjekjen që i ishte bërë nga Serbia
“Zoti Lushtaku e dha versionin e tij. E ftoj t’a padisë LVV-në për shpifje mirëpo nuk pajtohem me pjesën ku thotë më ka djegur Serbia tash edhe LVV-ja. Nëse fshihemi pas serbëve në kuptimin e asaj se tash po më djegin këta. Luftën për çlirim nuk e ka bërë vetëm ai. E ka bërë populli krahas aleatëve ndërkombëtar dhe dëshmorëve të rënë”, ka deklaruar Rexhaj në RTV Dukagjini.
Në video nuk ishte kursyer as figura e ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe djemve të tij për të cilët, Rexhaj shprehet i sigurt se të njëjtit kishin terminale doganore dhe një gjë të tillë ai thotë se e di e tërë Kosova.
Ftesa drejt gjykatës nga ana e Rexhaj nuk është kursyer as për Mustafën dhe djemtë e tij. Me bindje, ai thotë se rikujtimi i së kaluarës është ai i cili bezdisë qeverisësit e së kaluarës.
Të hënën e 10 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje sërish përmes një videoje të punlikuar në Facebook ka kritikuar deputetë e ish-pushtetarë të ndryshëm duke thënë se terminalet në çdo cep të saj kanë qenë në pronësi private të lidhura ngushtë me politikën.