image Reshitaj dhuron dhjetë mijë maska për studentët e Fakultetit të Mjekësisë

Shëndetësi

Reshitaj dhuron dhjetë mijë maska për studentët e Fakultetit të Mjekësisë

news image

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, Albena Reshitaj ka bërë të ditur se ka përkrahur Fakultetin e Mjekësisë me 10 mijë maska për mbrojtjen nga COVID-19.

Ajo ka treguar se kjo iniciativë është realizuar me ndihmën e zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Tahiri.

‘Sot me iniciativën time dhe me mbështetjen e zyrës së zëvendëskryeministrit Tahiri kemi përkrahur studentët e Fakultetit të Mjekësisë me 10.000 maska si pjesë e nevojshme mbrojtëse në realizimin e ushtrimeve praktike klinike në respektim të masave të rekomanduara nga IKSHPK kundër COVID-19. Duke pas parasysh specifikat e mbarëvajtjes së procesit mësimor në Fakultetit të Mjekësisë është gati e pamundur të arrihen rezultate dhe suksese në fushën e studimeve në shkencat mjekësore pa realizimin e pjesës së ushtrimeve praktike. Mirëpo situata me Pandeminë COVID-19 ka bërë këtë realizimin sfidë të veçantë për faktin që kjo pjesë e studimit për tu realizuar kërkon kontakte të drejtpërdrejta mes pacientëve, studentëve dhe mësimdhënësve’, ka treguar Reshitaj.

‘Të ndodhur në këtë situatë dhe me qëllim krijimin e mundësisë së realizimit të mësimit klinik në Fakultetin e Mjekësisë, ditë më parë në njërën nga seancat parlamentare në Kuvendin e Kosovës kam kërkuar nga Qeveria që të përkrah Fakultetin e Mjekësisë, prandaj falënderoj zv-kryeminstrin Tahiri për mbështetjen e dhënë dhe inkurajoj Qeverinë e Republikës së Kosovës që të vazhdoi përkrahjen’, shtoi ajo.

Reshitaj më tej tha se gjithmonë do të jenë pranë studentëve dhe do të bëjnë maksimumin që të realizohet mësimi edhe në këto kushte të jashtëzakonshme duke mbrojtur shëndetin e tyre.

‘Studentëve u themi se ne do të jemi pranë jush dhe do të bëjmë maksimumin që të realizohet mësimi edhe në këto kushte të jashtëzakonshme duke mbrojtur shëndetin e tyre, pacientëve dhe mësimdhënësve me qëllim që të mos mungojnë rezultatet dhe sukseset e tyre dhe ky donacion sa do pak do të jetë një ndihmese për ta. Edhe njëherë dua të siguroj te gjithë studentët e Fakultetit të Mjekësisë që edhe si kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale edhe si pedagoge do të punoj, që edhe në këto rrethana te krijohen kushte dhe mundësi mësimi kurse nga studentët ne presim punë dhe përkushtim për të studiuar. Jemi të obliguar të investojmë drejt dhe maksimalisht në të ardhmen e shoqërisë sonë e që janë studentët tanë’, deklaroi ajo.

/Gazeta Sinjali/