image Rënie drastike e numrit të azilkërkuesve, këto janë kushtet që u ofron Kosova atyre

Sociale

Rënie drastike e numrit të azilkërkuesve, këto janë kushtet që u ofron Kosova atyre

news image

Krahasuar me vitin 2020, numri i kërkesave të aplikuesve për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë ka pësuar rënie drastike në vitin 2021.

Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, në vitin 2020 ishin gjithsej 1 mijë e 406 kërkesa për Azil në Kosovë, ndërsa në vitin e kaluar u bënë 828 aplikime më pak, vetëm 578. Kurse lidhur me  shifrat për 4 muajt e parë të vitit 2022, MPB nuk ka dhënë fare përgjigje, raporton Gazeta Sinjali.

Në përgjigjen e ‘super të shkurtë’ të MPB-së për Gazetën Sinjali, bëhet e ditur se Maroko prinë në listën e vendeve me më së shumti aplikues për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa nuk thuhet se cilat janë vendet tjera prej nga vijnë personat që aplikojnë për Azil në Kosovë.

Personat që  qëndrojnë në qendrën e Azilit në Kosovë pajisen edhe me dokument identifikimi për azilkërkuesit, i cili shërben si leje qëndrim në vend deri në përfundimin e procedurës së Azilit.

Azilkërkuesit pajisen me dokument identifikues për azilkërkues, i cili shërben si leje qëndrim përderisa të përfundon procedura e azilit. Ndërsa pas marrjes së statusit të refugjatit apo mbrojtjes plotësuese, pajisen me leje qëndrim për këto kategori në pajtim me Ligjin për të Huaj”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për Sinjalin.

Aplikuesit për mbrojtje ndërkombëtare janë të sistemuar në Qendrën  për Azil në Magure të Lipjanit, ku iu ofrohen të gjitha kushtet e nevojshme për jetesë.

Sipas MPB-së, azilkërkuesve u ofrohet strehim, ushqim tri vakte, pako higjienike, veshmbathje sipas nevojës si dhe asistencë sociale mujore (para xhepi).

Përpos këtyre, azilkërkuesit mund të ndjekin edhe kurse të gjuhës shqipe, trajnime profesionale, shërbime psikosociale, shëndetësore dhe juridike e po ashtu Kosova ofron edhe arsimim për aplikuesit fëmijë.

Në kuadër të Qendrës për Azil ka hapësira të mjaftueshme për aktivitete të ndryshme rekreative si fusha futbolli, basketbolli, fitnes, këndi i lojërave për fëmijë e salla leximi.

E sa i përket angazhimit në punë vullnetare apo me pagesë në Kosovë, azilkërkuesit në përputhje me Ligjin për Azil, nuk kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitet fitimprurës 9 muaj nga paraqitja e kërkesës.

Po ashtu ata nuk mund të mund të angazhohen për punë vullnetare dhe të hyjnë në programin e integrimit, deri në marrjen e statusit të refugjatit apo mbrojtjes plotësuese.

Ndryshe, Republika e Kosovës që nga maji i vitit 2018 ka miratuar Ligjin për Azil, në përputhje me të cilin, refugjatët që parashtrojnë kërkesë iu jepet azili.

Përveç qendrës së Magures, ekziston edhe qendra në fshatin Vranidoll, e cila u rinovua në qershor të vitit të kaluar. Pas rinovimit, kapaciteti i kësaj qendre është deri për 140 persona.

/GazetaSinjali/