image Rëndohet gjendja në Malishevë pas reshjeve të shiut dhe borës

Kosovë

Rëndohet gjendja në Malishevë pas reshjeve të shiut dhe borës

news image

Gjendja nga reshjet e shumta të shiut dhe borës, është e rënduar por e menaxhueshme në qytetin e Malishevës, edhe pse lumi Mirusha në disa vende ka dalë nga shtrati, ndërsa disa rrugë janë bllokuar, përfshirë edhe qytetin, kurse qytetarët janë duke shfrytëzuar rrugët alternative, shkruan Gazeta Sinjali.

Kështu është bërë e ditur përmes një postimi në Facebook nga kjo komunë, gjersa njoftuan se disa ura janë mbuluar nga uji dhe më problematike për qarkullim është rruga Malishevë-Kijevë.

Komuna e Malishevës ka njoftuar të gjitha ekipet emergjente komunale, së bashku me forcat e rendit, janë në terren dhe situata është duke u menaxhuar, por lutem të gjithë qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë, pasi në disa rrugë ka probleme në qarkullim.

“Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, së bashku me drejtoritë përkatëse dhe ekipet përgjegjëse të emergjencave dhe të rendit, prej mëngjesit janë në terren në menaxhim situatës.

Ura në rrugën Malishevë-Kijevë është bllokuar, gjithashtu rruga Mirushë-Gurbardh, tek liqeni, është bllokuar, rruga në Turjakë, një urë në një lagje në Damanek, pastaj vështirësi ka edhe në rrugën e transitit në Malishevë, në qendër të qytetit, rruga Malishevë-Banjë ka probleme në qarkullim, prandaj luten të gjithë ngasësit e automjeteve që të shfrytëzojnë rrugët alternative në këto pjesë të Komunës së Malishevës.

Probleme ka edhe në rrjetin energjetik”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.

/Gazeta Sinjali/